Brazil, 25 prill 2014 – Një video e shpërndarë në internet ka tronditur opinionin publik në Brazil, pasi aty duket një polic teksa lidh me pranga të fejuarën e tij dhe më pas e qëllon me pistoletë.
Polici 38-vjeçar Napoleao Seki Junior ka vrarë me gjakftohtësi, në mes të rrugës, të dashurën e tij 23-vjeçare Paola Natalia Cardoso dhe më pas ka tentuar të vetëflijohet duke qëlluar veten me të njëjtën armë.
Tashmë ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Ngjarja është regjistruar ditën e enjte në qendër të Curitiba-s, kryeqytetit të shtetit Parana, në jug të Brazilit.
Pamjet janë filmuar me celular nga një person që po kalonte rastësisht me makinë në zonën ku ndodhi ngjarja.
Nuk dihen ende arsyet që e shtynë efektivin e rendit të ndërmerrte një veprim të tillë ndaj të fejuarës së tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





