Spanje, 25 prill 2014 – Gerardo Martino mund të qëndrojë në stolin e Barcelonës edhe sezonin e ardhshëm. Eshtë ky qëndrimi më i fundit nga bordi drejtues i klubit, që kërkon kështu të respektojë deri në fund kontratën 2 vjeçare me teknikun argjentinas. Pavarësisht zërave të shumtë që kanë qarkulluar së fundi me emra për pasuesin e Martinos, drejtori sportiv Zubizarreta publikisht i ka ofruar mbështetjen e në të njëjtën linjë qëndrimi duket se janë edhe anëtarët e tjerë të kupolës së blaugranave. Eshtë një fakt i ditur tashmë se kontrata e përmirësuar e Messit është një prioritet i momentit, por ndërkohë po punohet edhe për një rimodelim të skuadrës me largimin e disa lojtarëve të rëndësishëm në fund të sezonit. I gjithë ky transformim pritet të ndiqet hap pas hapi nga trajneri aktual, i cili në të njëjtën kohë ka një projekt të vetin për Barçën e sezonit të ardhshëm. Vendimi për të vazhduar me Martinon nga ana tjetër mund të jetë i detyruar, pasi trajnerët kandidatë që pëlqehen nga klubi nuk janë të disponueshëm për shkak të angazhimeve me skuadra të tjera dhe në këto kushte nuk ekziston luksi për të eksperimentuar, qoftë edhe për një sezon të vetëm. Ndërkohë alternativat për të ardhmen e Tata Martinos nuk kanë munguar, edhe në rast largimi nga Barcelona. Në ditët e fundit është përfolur për interesimin e Boca Juniors, si dhe të kombëtares së Venezuelës që e kërkon për një projekt afatgjatë deri në Botërorin e Rusisë në 2018-ën.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/