15 prill 2014 – Profesori i së Drejtës Kishtare në Universitetin e Bolonjës në Itali, pas promovimit të shtunën në Akademinë e Shkencave të librit “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, thekson qëndrimin e tij mbi islamin shqiptar

Prej kohësh vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me konflikte ndëretnike dhe ndërfetare.Kjo nuk ka ndodhur mes popullsive që kanë banuar në territorin e shtetit shqiptar, ku si rrjedhojë e laicizmit të sistemit u zhvilluan pluralizmi dhe toleranca mes pjesëtarëve të feve të ndryshme. Ky është thelbi i monografisë shkencore “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri” me autor, Giovanni Cimbalo, profesor i së Drejtës Kishtare në Universitetin e Bolonjës në Itali. Studimi i botuar në fakt që në vitin 2013, por që botuesi i botimeve “Naimi” ka gjetur jo pa kast pikërisht momentin e duhur për t’i dhënë zë një libri mbi komunitetet fetare, kur në Shqipëri është ndezur një debat rreth kësaj çështjeje. E në vazhdën e debateve lindin dhe keqkuptime. 

Prof. Giovanni Cimbalo, pas promovimit të shtunën në Akademinë e Shkencave të librit “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, është ndjerë i detyruar të ritheksojë qëndrimin e tij sidomos mbi islamin shqiptar.

“Ritheksoj respektin tim të thellë për islamin shqiptar, i cili ka mundur të mësojë paqen, bashkëjetesën dhe tolerancën në një klimë absolute të pluralizmit fetar. Për sa i përket tendencave fondamentaliste islamike që janë manifestuar në Shqipëri, ashtu si dhe në çdo vend tjetër të botës, dua të nënvizoj që islami shqiptar në kompleksin e tij dhe shteti shqiptar vetë zotërojnë mjetet e duhura për të evituar çdo turbulencë të paqes fetare.  Ky studim sjell analizën e statuteve të komuniteteve të ndryshme fetare, si fryt i shkrirjes së vetërregullimit të brendshëm të tyre me normat përpunuese të shtetit. Një analizë krahasuese mes normave dhe ligjeve të miratuara prej fillimit të shtetit shqiptar, gjatë monarkisë, regjimit komunist deri më sot e ka lejuar autorin të depërtojë më thellë në historinë e këtij vendi për të hedhur më shumë dritë mbi ndryshimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale mes komuniteteve fetare dhe shtetit; të kuptojë ç’ndikim ka pasur kjo në formimin e mendësisë mbi përkatësinë fetare dhe ç’trajtë ka sot ushtrimi dhe pjesëmarrja në jetën fetare. Nga shqyrtimi i historisë kushtetuese, praktikës juridike e politike që në zanafillë të shtetit të vet, autori vëren se ndër parimet e saj themelore Shqipëria ka ndarjen mes shtetit dhe fesë, laicitetin e institucioneve, e kryesisht, pluralizmin fetar, i parë si formant i rëndësishëm i sistemit ligjor, një prej përbërësve themelorë për ndërtimin e unitetit kombëtar, si vlerë e epërme për vendin. 

Këtij parimi, siç tregon përmes dokumenteve autori, i janë referuar të gjithë udhëheqësit e shtetit shqiptar: nga Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmed Zogu, Enver Hoxha, deri tek lidershipi aktual. Ky qëndrim bëri të mundur që i vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera joislame, edhe sepse ky i fundit ka epërsi shifrash. Me interes janë faktet dhe dëshmitë që zbardhin raportet e politikës shqiptare me kryeqendrat botërore të fesë si Patriarkana dhe Vatikani, përpjekjet e Ahmed Zogut dhe Enver Hoxhës në këtë drejtim. GiovanniCimbalo, profesor në Universitetin e Bolonjës, Itali, rindërton dinamikat mbi të cilat e drejta ka ngritur rolin e vet pedagogjik, edukues për bashkëjetesë, duke synuar të hedhë dritë mbi rrënjët e përbashkëta europiane.