Durrës, 10 prill 2014 – Banorët e lagjes nr.1 në Durrës janë tronditur në orët e vona të natës nga disa të shtëna me armë zjarri. Ka qenë ora rreth 00.30 e natës së 9 prillit, kur në sallën operative të policisë së Qarkut Durrës kanë mbërritur një sërë telefonatash që njoftonin për të shtëna me armë në afërsi të Kodër Vilës.

Sapo kanë marrë njoftimin, shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, por nuk kanë arritur të kapnin personin apo personat që kishin shtënë në ajër me automatik. Meqënëse ngjarja është regjistruar në një orë të vonë të natës, policia duket se do ta ketë të vështirë identifikimin e autorëve të të shtënave. Grupi hetimor po punon për të mbledhur dëshmitë e personave që kanë qenë në afërsi të vendit ku u regjistruan të shtënat me kallashnikov në ajër dhe që mund të kenë vënë re lëvizje të dyshimta në zonë.

Njëkohësisht po punohet për të verifikuar pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë së bizneseve apo shtëpive aty pranë, të cilat mund të kenë fiksuar imazhet e personit apo personave që qëlluan në ajër.

Në cilësinë e provës materiale, blutë e Durrësit kanë sekuestruar 4 gëzhoja plumbash, që u gjetën në vendngjarje. Policia ka nisur punën për identifikimin e autorëve të ngjarjes që akuzohen për veprën penale ”Prishje e qetësisë publike” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/