Durrës, 10 prill 2014 – Në bashkinë e Durrësit është dorëzuar kërkesa për ndërtimin e një parku industrial prej 80 hektarësh në zonën e Kënetës, specifikisht në ndërtimin e një platforme për transportin e mallrave me kontenierë nga ana e investitorëve turq të Kurumit. Kërkesa është mirëpritur dhe është në fazën e shqyrtimit nga Bashkia e Durrësit, e cila ka shprehur dakordësinë parimisht, që ky investim të ndërtohet brenda dy viteve të ardhshëm raporton “Gazeta Shqiptare”.

Kështu deklaroi kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në prani të ambasadorit turk në Shqipëri, Hidajet Bajraktar. “Kemi kërkesë nga investitori ‘Kurum’ për të ndërtuar një zonë industriale logjistike, një platformë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin”, -tha Dako në praninë e mediave. 

Sipas Dakos, investimi do të pesëfishojë volumin e punës në logjistikë, Kryebashkiaku i Durrësit deklaroi gjithashtu se parku do të kontribuojë edhe në hapjen e një numri të konsiderueshëm vendesh të reja pune.

“Parku industrial do të shtrihet në zonën e ish-kënetës, në një sipërfaqe prej afro 80 hektarësh. Do të kemi një pesëfishim të aktivitetit logjistik të kësaj kompanie kryesisht për transportin e mallrave me kontenierë. Është një sukses, është një shtim i konsiderueshëm i vendeve të punës. Është objektivi unë kryesor dhe në bashkëpunim me autoritetet lokale shpresojmë që investimi të bëhet realitet brenda dy vitesh”,- the kreu i Bashkisë së Durrësit. 

Ambasadori Hidajet Bajraktar deklaroi se sipërmarrësit turq në Shqipëri janë duke investuar në fusha strategjike, siç janë transporti detar, bankat telekomunikacioni, energjitik miniera, në portin e Durrësit etj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/