Angli, 10 prill 2014 – Një çift që u takua gjatë Luftës së Dytë Botërore janë varrosur së bashku, pasi të dy kanë pësuar atak në zemër njëri pas tjetrit. Bert dhe Mary Barnsley, 93-vjeçarë, ishin të martuar prej 70 vjetësh pasi u takuan gjatë luftës. I pari që ndërroi jetë ishte Berti ndërsa gruaja e tij Mary gjithashtu pësoi atak në zemër vetëm 30 minuta pasi i kishte vdekur burri. Ajo vdiq në spital një javë më vonë.

Qindra njerëz morën pjesë në funeralin e tyre që u mbajt në të njëjtën kishë ku ata ishin martuar 70-vjet më parë. Ata ishin martuar Ditën e Krishtlindjeve të vitit 1943, por prifti kishte refuzuar t`i binte kambanave, sepse në atë kohë ato përdoreshin për të alarmuar banorët nga bombardimet naziste. Por dje, në nderim të çiftit kambanat bënin zhurmë në Kishën Holy Trinity në Cradley Heath të West Midlands.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/