Durrës, 9 prill 2014 – Kryebashkiaku Dako po bëhet gjithnjë e më shumë pikë referimi për faktorin ndërkombëtar. Ambasadori i ri i Turqisë në Tiranë z. Hidajet Bajraktar bëri një vizitë pune në Portin e Durrësit, ku u përqëndrua në Terminalin e Kontejnerëve, që është marrë me koncesion nga firma turke “KURUM”. Ambasadori dhe personat që e shoqëronin të kompanisë “Kurum Albania”u pritën nga z. Mesut Yanar, drejtori lokal në Durrës i Kurumit. Mikpritësi i ambasadorit turk ishte kryebashkiaku Dako. Ai së bashku me ambasadorin inspektuan terminalin e kontejnerëve, ku panë nga afër investimet turke në këtë terminal. Në 7 pika të terminalit po ndërmerren apo janë planifikuar të ndërmerren investime të karakterit mirëmbajtës dhe përmirësues.
Po riparohen dhe lyhen “ Nju xhersat” e betonit, që rrethojnë terminali. Po riparohen dhe lyhen kangjellat rrethuese të terminalit. Po pastrohen nga ndryshku dhe po lyhen kallunat e kalatës. Pritet të zëvendësohen kapakët e prizave elektrike të dëmtuara. Do të zëvendësohen kapakët prej betoni , që mbulojnë rrjetin e kabllove elektrikë. Fenderat e kalatës (blerë me çmim stratosferik, kur terminali ishte ende shtetëror) janë dëmtuar dhe do të zëvendësohen. Të tëra këto punime shkojnë në 100 000 euro.
Kryebashkiaku Dako ishte pro kërkesave të koncesionarëve turq për të zgjeruar aktivitetin në Terminalin e kontejnerëve. Këto ditë turqve u përfundon një kontratë e rëndësishme për qiramarrjen e vinxhave shtetërorë dhe roli i kryebashkiakut Dako është i dorës së parë, sepse njerëzit e Dakos kanë maxhorancën në Këshillin drejtues të Autoritetit Portual Durrës.
Ra në sy se gjatë vizitës së Ambasadorit në Portin e Durrësit munguan përfaqësues të APD-së (zotërit e shtëpisë). Nuk ishte prezent as drejtori i APD-sw, z. Selim Belortaja as edhe ndonjë vartës i tij. Gjithsesi Kryebashkiaku Dako e kreu më së miri detyrën e tij si mikpritës i ambasadorit të Turqisë mike dhe aleate të Shqipërisë.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





