Durrës, 9 prill 2014 – Teuta nuk ka mundur të kalojë në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi në ndeshjen e kthimit përballë ekipit të Kukësit është mundur nga ky i fundit 0-1 duke e çuar në total numrin e golave të shënuar dhe të pësuar në dy ndeshjet gjysëmfinale në 2-4.
Megjithëse rezultati i ndeshjes së parë, të luajtur në Kukës (2-3) u jepte shpresa të mëdha djemve të detit për të dalë në finalen e Kupës së Shqipërisë, kjo gjë nuk u arrit mbrëmjen e sotme në “Niko Dovana”.
Durrsakët u ndëshkuan që në minutën e 14-të të pjesës së parë nga një gol i Boya-s dhe ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes. Djemtë e Biturkut luftuan fort për të barazuar ndeshjen që më pas të kishin mundësi për kalimin në finale, por përballë kishin një ekip të fortë, siç është Kukësi, që lë pak hapësira në mbrojtje.
Të dyja pjesët e takimit u karakterizuan nga një lojë e fortë e të dyja skuadrave dhe rastet për shënim qenë më të shumta nga ajo çfarë regjistroi në fund rezultati final, por lojtarët e të dy ekipeve nuk arritën të ishin të saktë para portave respektive.
Vlen të theksohet se atmosfera në stadiumin “Niko Dovana” këtë të mërkurë ishte elektrizuese, pasi tifozeritë e të dy ekipeve ishin angazhuar për të mbështetur maksimalisht skuadrat respektive. Në fund, fitorja u buzëqeshi kuksianëve.
Tashmë ekipit të Biturkut i mbetet të luftojë fort në ndeshjet e mbetura të kampionatit, për të synuar një nga vendet e kreut të renditjes, që do t’i mundësonte pjesëmarrjen në Europë.
Ndërkohë ekipi i Kukësit do të përballet në finalen e Kupës së Republikës me Flamurtarin e Vlorës, që arriti të mundte me rezultatin 2-0 korçarët e Skënderbeut, duke i eleminuar nga ky kompeticion.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





