DURRËS, 9 prill 2014 – Edhe fshatarët e Durrësit dhe Krujës bëhen “francezë” për delikatesën e famshme të kërmillit që njihet edhe në kuzhinën ndërkombëtare me emrin origjinal “escargot” (shqiptohet: eskargó).
Sipas të dhënave zyrtare të drejtorisë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në qarkun e Durrësit, gjatë vitit 2013 kanë përfituar mbështetje (subvencion) nga shteti 3 fermerë në qarkun e Durrësit për mbarështim intensiv të kërmillit.
Në fshatin Bilalas të komunës së Maminasit fermeri Gjergj Vejzati ka një sipërfaqe prej 1,78 ha për kultivim kërmilli; në fshatin Hamallaj të bashkisë së Sukthit fermeri Erjon Bedini merr mbështetje për 0,6 ha; kurse në fshatin Arrameras të bashkisë së Fushë-Krujës përfiton subvencion për 0,5 ha fermeri Myrteza Katroshi.
Vitet e fundit është shtuar numri i fermerëve që po investojnë në rritjen e kërmillit.
Investimi minimal i kërkuar është 600 mijë lekë për tre dynymë dhe kthimi i investimit merret brenda 15 muajsh.
Në tregun italian 1 kg (pa guaska) shitet me 3.5-4 euro.
Fermat e kërmijve që hapen për herë të parë, marrin një subvencion prej 500 mijë lekësh për ha për blerje rasati (fare) dhe ato ekzistuese, që zgjerohen, deri në 250 mijë lekë për ha.
Një firmë franceze po nxit shqiptarët për mbarështim bio të kërmillit, gjë që është pritur me entuziazëm, pasi dhe të ardhurat janë tepër të larta në raport me shpenzimet.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





