Has, 9 prill 2014 – Përplasja mes dy mjeteve, në afërsi të fshatit Zaharisht të Hasit, ka shkaktuar vdekjen e një djali 8 vjeçar dhe plagosjen e nënës së tij. Familja Meshi po udhëtonte drejt shtëpisë, kur është përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik bashkë me një tjetër automjet.
Mësohet se Adelina Meshi, nëna e 8-vjeçarit që humbi jetën është në gjendje të rëndë, ndërsa vëllai i tij 5-vjeçar është jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Hasit.
Për t’i ardhur në ndihmë 36 -vjeçares është realizuar transportimi i saj me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit të rëndë, që mendohet se është shkaktuar për shkak të shpejtësisë me të cilën udhëtonin dy mjetet dhe lagështisë në rrugë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





