Itali, 9 prill 2014 – Ilir Doku, 43 vjeç u arrestua nga karabinierët e qytezës së Mondragones afër Napolit me akuzën “Vjedhje e trafikim mjetesh motorike”. Arrestimi i tij u bë në qytezën e Pianurës (provincë e Napolit), ku ai fshihej në një vilë të fortifikuar. Vila survejohej nga 9 kamera me qark të mbyllur dhe ishte e mbrojtur me mure të lartë, dyer të blinduara dhe xhama kundër vjedhjes.
Në zonën e Kastelvolturnos karabinierët i kapën Ilirit dy rimorkio dhe një kokë kamioni. Në rimorkio u gjetën të fshehura disa makina luksoze të vjedhura. Ndër to përmendim një Ferrari 360 Modena, dy Benz Mercedes, njëri prej të cilëve i përkiste një futbollisti titullar të skuadrës së Napolit. U gjet edhe një makinë Quad etj. U gjetën edhe makineri të vjedhura si rrul rrugësh, kokë kamioni etj.
Iliri kishte precedentë penalë për vjedhje makinash. Ai ishte kapur në Portin e Barit ndërsa ngiste një kamion, në karrocerinë e të cilit u gjet një Mercedes S 350 i vjedhur. Në Portin e Brindizit ai u kap ndërsa ngiste një Mercedes kabriole, i cili rezultonte i grabitur me dhunë
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





