DURRËS, 9 prill 2014 – Kapja e 2 365 kg kanabis në mbrëmjen e 7 prillit 2014 në portin e Durrësit, ka bërë xhiron botërore në mediet më të mëdha amerikane, britanike, italiane, spanjolle, maqedonase, arabe etj., pasi konsiderohet një sasi e bujshme droge.
Bie në sy fakti se, ndonëse lënda narkotike ishte ngarkuar në Shkup me destinacion Evropën Perëndimore, agjencia e famshme amerikane e lajmeve AP nuk harronte të përmendte Lazaratin (shih mbulimin me ngjyrë blu në faksimilen e faqes së USA TODAY):
“Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, prodhon sasi të mëdha kanabisi. Në rajonin kyç jugor, vetëm në Lazarat, prodhimi vjetor vlerësohet në 900 tonë, me vlerë afër 4.5 miliard euro (6 miliardë dollarë) – rreth gjysma e PBB-së së vendit”.
Sikurse është bërë e ditur, ambasada amerikane në Tiranë ka këshilluar shtetasit e “Botës së Re” të mos shkojnë në Lazarat.
Lazarati i famshëm në të gjithë botën, si Kolumbia e Evropës, nëpërmjet kryetarit të komunës, Dashamir Aliko, e ka shpallur veten si zonë fanatike të PD-së dhe z. Sali Berisha, prandaj këtu ka fituar edhe si deputet një nga krerët e opozitës së sotme, ish-ministri Genc Ruli.
Lazarati ka fituar emër të keq sidomos në Apenine kur në vitin 2004, me mbështetjen e hapur të PD-së dhe zotit Berisha, atëherë sërish në opozitë, kanë qëlluar me armë helikopterët ushtarakë italianë, që fotografonin parcelat e mbjella me kanabis.
Kjo kundërvënie amerikane dhe ndërkombëtare ndaj bastionit të opozitës së sotme, ka detyruar sërish kryekomunarin Aliko të flasë për pro-amerikanizëm dhe të ftojë në fshat amerikanët, duke i dhënë kështu përgjigje “Uashingtonit” të Tiranës.
Ndërkohë zëdhënësit, por dhe ata deputetë të PD-së për qarkun e Durrësit që përdoren për deklarata kundër policisë, kanë heshtur për drogën e kapur, deklaratën e ambasadës amerikane dhe për “demonizimin” e Lazaratit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





