Greqi, 9 prill 2014 – Mediet greke publikon foto të tjera të Ilia Karelit (Kudret Kumes) që humbi jetën si pasojë e dhunës në burg.
Fotot i takojnë momentit kur Kareli futet në qelinë ku u gjet i vdekur, fill pasi ishte torturuar e dhunuar barbarisht.
Gazeta tovima.gr e emërton burgun e Nigritas si "Abu Graib", (burgu ku torturoheshin të arrestuarit e Al Kaedës). Për herë të parë, ditën e sotme janë shfaqur imazhe të Karelit, i cili shoqërohej nga gardianët e burgut dhe do të dërgohej në qelinë e vdekjes. Këto foto janë shkëputur nga videoja me qark të brendshëm e burgut në datën 27 mars 2014 dhe që është administruar nga ana e prokurorisë së Serresit.
Në këto foto duket edhe drejtori i burgut të Nigritas, i cili është në mesin e gardianëve që shoqërojnë Karelin përpara se ai të dhunohej për vdekje nga 15 prej tyre. Siç tregohet në foto, 42-vjeçari shqiptar ka mbërritur në burg në orën 15:45 minuta të datës 27 mars 2014. Në foto ai duket gjysëm lakuriq dhe në gjendje të keqe shëndetësore. Ai duket se nuk qëndron në këmbë si pasojë e dhunës që ishte ushtruar ndaj tij dhe në njërin sy duket hematoma e shkaktuar si pasojë e goditjeve të bëra ndaj tij.
Ndërkohë gjashtë prej tetë gardianëve të burgut të Nigritas, që akuzohen për torturimin me pasojë vdekjen e Ilia Karelit janë dërguar në qeli, pas deponimeve në hetuesi, që kanë zgjatur nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë të martën.
Mediat greke raportojne sot se dy gradianë të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë. Të pandehurit që implikohen në torturimin dhe vdekjen e Ilia Karelit janë gjithsej 15.
Shtatë të tjerët janë thirrur për t’u paraqitur sot në hetuesi. Por sipas avokatëve të tyre, ata do të paraqiten sot vetëm për të marrë dosjet e akuzës dhe do të kërkojnë disa ditë afat që të përgatitin deponimet e tyre.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





