DURRËS, 9 prill 2014 –  LSI-a i jep PS-së së Durrësit postin e nr. 2 të hekurudhave, kurse kryebashkiaku Vangjush Dako emëron një kryetar të ri në “komunën” nr. 2 qytetit.

Më 9 prill 2014, në mjediset e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike / shtetërore Hekurudha Shqiptare (HSH) sha, është prezantuar zëvendësdrejtori i ri Leonidha Gjermeni, ish-kryetar qendre administrative; ndonëse qarkullonin zëra se do të emërohej edhe z. Kristaq Prifti, ish-drejtor teknik në hekurudhë para vitit 2005, kontribuues në hartimin e strategjisë së transportit hekurudhor për PS-në vendore.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, që drejtohet nga LSI-a, u tregua bujare me PS-në e Durrësit teksa i dha një post të rëndësishëm, pas atij të drejtorit, Genc Alizoti, ish-kryetar i Këshillit të Qarkut në kohën e PS-së “së parë” në pushtet, ish-prefekt i Durrësit në kohën e aleancës PD-LSI.

Z. Leonidha Gjermeni ka përvojë drejtuese si ish-drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë publike / shtetërore të Autoritetit Portual Durrës sha në kohën e Nanos, kryetar i qendrës administrative nr. 2 të bashkisë së Durrësit në kohën e Dakos, por edhe si politikan vendor në krye të degës së PS-së e pastaj të LSI-së; pas prishjes me Ilir Metën, dha dorëheqje nga LSI-a dhe kaloi sërish te PS-ja.

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i konfirmoi “Dyrrah”-ut me telefon po më 9 prill 2014, se, në vend të z. Gjermeni, në postin e kryetarit të “komunës” (sikurse quhet në thjeshtligjërimin popullor qendra administrative) nr. 2 që mbulon lagjet 6, 7, 9, 10, 11, ka emëruar z. Leonard Koça.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/