Tiranë, 9 prill 2014 – Qeveria ka miratuar shtyrjen e afatit të kredisë me bankën gjermane KfW për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kv Shqipëri – Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, i cili theksoi se ky investim që do të rrisë sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat e jugut.

“Kam kënaqësinë të komunikoj sot, një vendim tjetër shumë të rëndësishëm të Këshillit të Ministrave, i cili ka të bëjë me vazhdimin e ndërtimit të “Unazës së Jugut” dhe shtyrjen e afatit për kredinë me KfW. Një financim ky shumë i rëndësishëm i Republikës Federale të Gjermanisë për Unazën e Jugut të linjës 110 kV të transmetimit të energjisë. Një investim, i cili do të shtojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Një investim që do të sigurojë një eficencë më të madhe të sistemit në zonat e jugut të vendit dhe që është në vazhdën e të gjitha atyre projekteve infrastrukturore energjetike që qeveria shqiptare po kryen”,- tha Gjiknuri.

Gjithashtu ministri njoftoi se së shpejti do të nisë edhe zbatimi i linjës së interkonjeksionit me Kosovën ndërsa shtoi se vitin tjetër do të ketë një projekt tjetër edhe me Maqedoninë.

“Projekti me Kosovën tashmë do të fillojë nga konkretizimi shumë i shpejtë. Aktualisht ka përfunduar gjithçka nga pikëpamje kontratuale. Duke vazhduar më pas, me projekte të tjera të interkonjeksionit të Shqipërisë me vendet e tjera te rajonit. Vitin tjetër do të jetë projekti i interkonjeksionit me Maqedoninë apo investimet edhe në pjesën tjetër të jugut, në pjesën e bregut, për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike, në të gjithë këto zona”,- tha Gjiknuri.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/