Durrës, 9 prill 2014 – Një ditë pas intervistës së Bashkim Dobrushit, nëna e Edlira Dobrushit, flet sërish në media, duke dhënë një version tjetër të arsyeve që çuan në divorcin e çiftit, i cili u pasua me ngjarjen tragjike të një muaji më parë në Itali. Alije Çopa thotë në një intervistë për “Panoramën” se nuk ka mundur të marrë pjesë në varrimin e tri mbesave, pasi familjarët e Bashkimit nuk e kanë lejuar.

“Nuk më lanë t’ju jepja lamtumirën e fundit mbesave dhe më ka mbetur peng që nuk më pranuan në varrim. Nuk më pranuan njerëzit e Bashkimit, të cilët më akuzuan se kisha folur keq në media për ta. Nuk e di sa keq e kam përjetuar dhe vazhdoj ta përjetoj çdo ditë këtë tragjedi“,shprehet ajo.

Gruaja e moshuar ngul këmbë se arsyeja e ndarjes së Bashkimit nga Edlira ishte një femër tjetër.

“Kjo është e vërteta dhe le të përpiqet të thotë ç’të dojë  Bashkimi. Nuk kishte ardhur për të takuar nënën, se Edlira më tha se ishte nisur apostafat për t’u fejuar me një vajzë më të re, rreth të 25-ave’’, pohon ajo.

“Vajza e madhe, Simona, e zbuloi me anë të telefonit se Bashkimi kishte lidhje me një vajzë tjetër. I tregoi nënës së saj. Këtë Edlira e ka përjetuar shumë dhe më thoshte se Bashkimit nuk i bënte përshtypje fakti që kishte lidhje jashtëmartesore. Për këtë punë u ndanë”, shprehet ajo.

Atlije Çopa thotë se dëshira e saj e fundit është të takohet me të bijën, e cila ndohet në Itali nën kujdesin e mjekëve. “Nuk dua të vdes pa u takuar edhe njëherë me vajzën time. Jam e sigurt që ajo po e vuan shumë gabimin që bëri”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/