Athinë, 8 prill 2014 – Zemra e Ilia Karelit brenda 7 ditësh do të kthehet në Shqipëri. Organi i shqiptarit që humbi jetën si pasojë e dhunës barbare të gardianëve të burgut të Nigritës ndodhet në Mjekësinë Ligjore të Athinës. Zemra e të burgosurit shqiptar ruhet në morg dhe brenda një jave pritet të sillet në vendin tonë. Pas disa ditësh pritet të dalin përgjigjet e analizave histopatologjike, ku do të përcaktohen plotësisht shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së të burgosurit shqiptar, ndonëse paraprakisht rezulton se ai gjeti vdekjen nga torturat. Eksperti mjeko-ligjor po insiston në disa analiza histopatologjike të zemës, që konsistojnë në dëmtimet që ajo ka pësuar prej elektroshokut, pasi nga hetimet paraprake kishte rezultuar se shqiptarit iu gjetën shenja djegieje në gishta, gjë që të bën të dyshosh se ai ishte torturuar me energji elektrike apo i ishte nënshtruar elektroshokut. Ekspertët grekë e kanë justifikuar mbajtjen deri më tani të zemrës së Karelit, me faktin se u është dashur për të zbardhur pikërisht këto rrethana.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





