Gjermani, 8 prill 2014 – Bayerni i Mynihut apo Manchester United, njëra do të mbetet jashtë gjysmëfinaleve të Championsit. Barazimi 1-1 në sfidën e parë të luajtur në “Old Traford” e ka lënë të hapur çështjen e kualifikimit, edhe pse anglezëve u duhet patjetër fitorja ose një barazim me shumë gola. Nuk ka asnjë dyshim Pep Guardiola. Sipas trajnerit të bavarezëve, skuadra e David Moyes do të luajë e tërhequr në mbrojtje.
“Mendoj se Manchester United do të luajë në ndeshje në pritje. Do të rreshtohen në prapavijë, për t’u nisur më pas me shpejtësi në kundërsulm. Është një gjë që dinë ta bëjnë shumë mirë. Nuk është kurrë e lehtë të luash kundër skuadrave angleze, aq më tepër që United është një klub i madh. Para sfidës së parë çerekfinale të gjithë flisnin vetëm për Bayernin, por tani e kanë kuptuar që United mund të vijë dhe të fitojë në Gjermani”,- thotë Guardiola.
Bayerni as që e mendon të kualifikohet me golin në fushën kundërshtare, sepse sipas Guardiolës, bavarezët i njohin më mirë “djajtë e kuq”. Faktori fushë është shumë i rëndësishëm në përballje të tilla.
“Do të na duhet të fitojmë, por do të jenë përcaktuese disa detaje të vogla. Tashmë i kemi mësuar se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit”,-vijon më tej ai.
Në seancën e fundit stërvitore kampionët e Gjermanisë nuk janë ushtruar me goditjet e 11-metërshave dhe arsyen e shpjegon vetë tekniku spanjoll.
“Kur shkon te penalltinë nuk vlen më teknika, por kurajo. Ne këtë pikë, do të jetë vetëm çështje psikologjike”,– përfundon Guardiola.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





