Durrës, 8 prill 2014 – Policia kufitare në Portin e Durrësit ka sekuestruar mbrëmjen e së hënës 2365 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa ndërsa ka arrestuar edhe transportuesin e drogës, një shtetas maqedonas. Droga ishte fshehur në kamionin me targa SU 0172 SB dhe me targa trajleri SU 0094, që drejtohej nga shoferi maqedonas Aco Nikolovski, i cili është prangosur. Policia bën të ditur se i ndaluari 41 vjeçar, banues në Shkup, gjatë marrjes në pyetje në prani të avokatit dhe përkthyesit ka pohuar se sasia rekord e drogës ishte ngarkuar në Maqedoni. Lënda narkotike po kalonte tranzit nëpër vendin tonë dhe kishte si destinacion tregun italian.
Sipas policisë, lënda narkotike ishte fshehur në 45 divanë, ku në secilin prej tyre kishte 50 pako kanabis me një peshë prej 2365 kg. Vlera e lëndës narkotike që po tentohej të trafikohej përmes portit të Durrësit për në vendin fqinjë kapte vlerën rreth 2.3 milion euro. Policia është duke hetuar lidhur me përfshirjen e të tjerë personave në këtë trafik të paligjshëm ndërkombëtar narkotikësh.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





