Tiranë, 8 prill 2014 – Për të dytën ditë, Komisioni Hetimor Parlamentar për lëvizjet në polici ka vazhduar punën. Në seancën e sotme dëgjimore zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga deklaroi se i penduari i bandës së tritolit Gjokona është dëgjuar dhe është marrë në mbrojtje familja e tij.

Deputeti i PD-së, Eduard Halimi kërkoi të dijë më shumë për denoncimin e Gjokonës në media, pasi ky i fundit ka deklaruar se policia nuk kishte pranuar denoncimin e tij.

“Nuk është e vërtetë që nuk e kemi pritur Gjokonën, e kemi dëgjuar dhe kemi marrë në mbrojtje famijen e tij”,- u shpreh Bizhga.

 

Trafiku i drogës

Zv.Drejtori i Policisë së Shtetit Bizhga u pyet edhe për trafikun e drogës. Deputeti i PD-së Gent Strazimiri, tha se Italia ka dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Por Bizhga u përgjigj duke thënë se është ai përgjegjës për komunikimet me forcat italiane dhe se dhënia e informacioneve nga pala shqiptare nuk ka munguar.

“Kemi patur komunikim me palën italiane, por jo çdo gjë është në dorën e policisë. Treguesit dhe statistikat janë mjaft të qarta”,-tha ai. 

Më pas radhën për të dëshmuar para Komisionit Hetimor Parlamentar për lëvizjet në polici e ka pasur Muhamet Rrumbullaku, ish-Zëvëndës Drejtor i Përgjithshëm i Rendit dhe Sigurisë. 

I pyetur për foton, ku shfaqet përkrah Arben Frrokut, Agron Kuliçajt e Tonin Vocajt, Rrumbullaku tha se është i hapur për çdo hetim që mund të ketë rreth saj. 

“Përsa i përket fotos që ka dalë në media ku jam përfshirë dhe unë. Ja ku jam, jam i hapur për çdo lloj hetimi. I kam bërë thirrje dhe Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë”,-tha  ish-Zëvëndës Drejtor i Përgjithshëm i Rendit dhe Sigurisë.

Një ditë më parë, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj deklaroi se mban të gjitha përgjegjësitë, qoftë edhe ligjore për shkarkimet e 15 drejtorëve kryesorë të policisë dhe 15 emërimet në vend të tyre, për të cilat Partia Demokratike ka ngritur një sërë akuzash. 

Opozita mendon se shefat e komisariateve janë shkarkuar me një motivacion që nuk gjendet në ligj. I fundit në listën e dëshmitarëve të thirrur nga komisioni është ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dëshmi e cila pritet të shkaktojë debat mes mazhorancës dhe opozitës.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/