Itali, 8 prill 2014 – Një i porsalindur është braktisur në ballkonin e një apartamenti në katin e parë nga nëna e vogëlushit. Gruaja mësohet se ka lindur në kushtet e shtëpisë. Ajo ia kishte fshehur shtatzëninë familjarëve dhe duke iu trembur reagimit të tyre e braktisi vogëlushin tek ballkoni i fqinjës.

Banorët e pallatit, në një lagje të Palermos, i kanë treguar karabinierëve se prej orësh dëgjonin një të qare fëmije, por nuk kuptonin nga vinte.

Gruaja, në ballkonin e së cilës ishte lënë fëmija, ka deklaruar se e ka vënë re vogëlushin kur ka dalë në ballkon. Ai ishte i tërësisht i zhveshur dhe dridhej nga i ftohti.

Fëmija është dërguar menjëherë në spital për t’iu dhënë ndihma e parë. Ndërkohë në spital ka përfunduar edhe nëna e tij, e cila është ndjerë keq pas lindjes. Mësohet se gruaja 38 vjeçare nuk ka pyetur ende për gjendjen e fëmijës së saj dhe duket se është në gjendje konfuze.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/