Durrës, 8 prill 2014 – Durrsakët premtojnë autokritikë në sfidën e së mërkurës për kupë. Braziliani Da Silva pranon se skuadra ka zhgënjyer në përballjen e së shtunës për kampionat, ku për më tepër e konsideron turpëruese humbjen e thellë.

“Jemi shumë të zhgënjyer me paraqitjen tonë në Kukës. Ne ishim përgatitur për të dalë me një rezultat pozitiv nga “Zeqir Ymeri”, por nuk bëmë atë që duhej dhe morëm atë që meritonim. Megjithëse u përpoqëm të krijonim volum të lartë loje në një pjesë të mirë të minutazhit gjatë pjesës së dytë, skuadra nuk ishte e frikshme, madje ishte e lexueshme në aksionet e saj. Duhet të pranojmë se kundërshtari ishte më mirë se ne dhe e meritoi plotësisht fitoren. Humbëm një ndeshje vendimtare, por tashmë që gjithçka ka përfunduar nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër veçse të rikuperojmë në sfidën e radhës”,- u shpreh Da Silva. 

Teuta është mundur dy herë në harkun e pak ditëve në Kukës ndaj vendasve, të cilët do t’i presin në një sfidë tepër deçizive në “Niko Dovana” ditën e mërkurë. Pavarësisht dy dështimeve të njëpasnjëshme, durrsakët premtojnë se do të bëjnë autokritikë në takimin e kupës.

“Është e vërtetë që në dyja përballjet e fundit Kukësi na ka mposhtur, por sfida e së mërkurës për Kupë nuk ka lidhje fare. Kjo ndeshje për ne do të jetë si një finale dhe cilado skuadër qoftë përballë do të pësojë humbje të thellë. Do të hakmerremi ndaj Kukësit, duke e mundur bindshëm në fushën tonë. Ne kemi besim se do të bëjmë një paraqitje super ndaj kuksianëve dhe do të kalojmë në finale të Kupës së Shqipërisë. Luajmë në fushën tonë dhe përpara publikut të mrekullueshëm durrsak, i cili do të na ndihmojë nga shkallët e stadiumit duke na dhënë zemër. Kjo sfidë do të jetë vendimtare për ne këtë sezon futbollistik, ndaj kërkojmë mbështetje maksimale nga tifozëria. Ne u premtojmë atyre fitore!”,- përfundoi mbrojtësi.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/