SHBA, 8 prill 2014 – Një profesor në kolegjin “Aquinas”, në Michigan, SHBA, kishte vendosur një rregull për nxënësit që u binte telefoni në orën e mësimit. Ata ishin të detyruar ta pranonin thirrjen që vinte në celularin e tyre, me kushtin që të bisedonin me telefonuesin, ndërsa dëgjonte e gjithë klasa. Por një vajzë e mërzitur nga kjo taktikë që ndiqte profesori, ka zgjedhur 1 prillin si ditën kur do të hakmerrej.
Ajo luajti rolin sikur po merrte telefonatën e një shërbimi social për adoleshentet shtatzëna. Telefonata në fakt bëhej nga një shoqe e saj jashtë klasës, e cila i thoshte se testi kishte dalë pozitiv dhe ajo priste një fëmijë. Profesori i vënë në siklet i kërkon të falur nxënëses, e cila e pashqetësuar vijon të dëgjojë folësen nga ana tjetër. Në fund, vajza thotë: E prisja një përgjigje të tillë, madje e kam vendosur edhe emrin e bebes.
“Kam vendosur ta quaj April, ndërsa mbiemri do të jetë Fool (April Fool – Dita e Gënjeshtrave)”,-thotë vajza. E gjithë klasa shpërthen në të qeshura.
Videoja ka përfunduar në Youtube, ku ka marrë më shumë se 13 milion klikime deri tani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





