Tiranë, 8 prill 2014 – Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i ftuar dje në emisionin “Debati në Channel One” iu ka dhënë dje përgjigje akuzave të opozitës lidhur me organizimin e ditëlindjes së tij. Sipas tij, darka e ditëlindjes nuk ka kushtuar aq sa është përfolur në media. Meta ka deklaruar se kostoja për çdo person është rreth 3500 lekë.
Z.Meta, njerëzit kanë një interes shumë të madh të marrin vesh për ditëlindjen tuaj. Pse kanë kaq interes të madh që ju të tregoni për ditëlindje? Pse është kjo? Çdo njeri e feston ditëlindjen. Pse në këtë rast, sepse kemi detaje, disa kritika, disa akuza?
Nuk e di që një ditëlindje duhet bërë një objekt debati. Megjithatë, më vjen mirë kur politikanë të shquar dhe të pasionuar pas nekrofilisë, tani kanë filluar të merren me ditëlindjet. Në fund të fundit, është përparim. Është diçka më pozitive dhe është e drejta e tyre të merren me ditëlindjen time. Për mua nuk ka asnjë shqetësim. Kjo quhet shpërfillje, se jemi në një moment serioz tani. 650 të ftuar, 2 tonë verë, qindra karkaleca…
Si shpjegohet që janë pirë 2 tonë verë dhe nuk është bërë asnjë aksident? (Jepen sinkron akuzat e Jozefina Topallit në Parlament për ditëlindjen e Metës)
Qindra mijëra dollarë thotë znj. Topalli! Sa ka kushtuar ditëlindja juaj, z.Meta?
Unë nuk jam këtu që të merrem me politikanë dhe me politikane që vuajnë nga sindroma e Otellos. Kjo është një çështje tjetër.
T’jua shpjegojmë shqiptarëve çfarë bëri Otello…
Sindromën e Otellos e keni të qartë në Wikipedia se çfarë është.
Unë e kam të qartë, por ta përshtatim te zonja Topalli…
Nuk ka nevojë. Është e qartë për qytetarët shqiptarë.
Se viktima ishte Desdemona…
E rëndësishme është që në politikë të ruhen disa standarde të karakterit njerëzor, sepse sigurisht që gjëja më e lehtë është të shpifësh, por në momentin kur e tepron, edhe në shpifje, pa dyshim që ai të cilin përpiqesh të manipulosh, reagon ndryshe nga sa ti shpreson. Besoj se kjo nuk është hera që u ndodh edhe zëdhënësve të këtyre shpifjeve. Për rastin konkret, meqenëse ju e kishit kaq për zemër, dëgjuam që atje ishin mbjellë palma dhe pemë.Kjo është një gjë fare qesharake.
Pse?
Do t’jua shpjegoj shumë thjesht juve dhe teleshikuesve. Ata thjesht, prandaj them se vuajnë nga sindroma e Otellos, ku një nga problemet kryesore ishte edhe ai i xhelozisë dhe i krijimit të një bote paralele e kështu më radhë; nga Vora në Lalëz sa kilometra është? Më pak se 20 kilometra. Dy kamionë me palma, me vazo dhe me lule, vajtje-ardhje sa karburant mund të harxhojnë?
Deri këtu do të shkojmë, të llogarisim?
Po, këtu duhet të shkojmë për t’u dhënë njerëzve mesazhin që kemi të bëjmë me sindromën e Otellos. Thelbi i së cilës është xhelozia, bota paralele, dyshimet, pasiguritë dhe marrëzitë, të cilat ai vetë, në fund të fundit, i përjeton dhe i vuan. Nuk kemi të bëjmë me shpenzime marramendëse, sepse jua thashë edhe një herë, për të marrë nga një kompani, që i ka këto palma dhe lule me vazo, për t’i çuar në Lalëz, dy kamionë dhe për t’i kthyer, ngarkim-shkarkim nuk bën më shumë se 60 mijë lekë të rinj.
Tani 60 mijë lekë palmat e mora vesh, po këto 50 tualetet, z.Meta?
Kjo është një fantazi tjetër dhe natyrisht që, kur dëgjohen shifra të tilla, të cilat janë tërësisht larg së vërtetës, duhen pjesëtuar disa herë, pa dyshim që çdo qytetar shqiptar…të ulë galixhantin. Kërkoj ndjesë që po e them këtë, por ky ishte niveli, për fat të keq, i “Rilindjes Demokratike” për katër–pesë ditë me radhë, lidhur me këtë ditëlindje, ku dihet që aty ishin të ftuar të gjithë: përfaqësues mediesh, opozitarë e kështu me radhë. Pra, nuk kishte asgjë për të fshehur. Thanë 500 kilogram karkaleca! Unë që isha i zoti i asaj feste kisha vetëm tre karkaleca në pjatën time. Nëse kolegët tuaj, që kanë qenë atje, kanë pasur nga një kilogram karkaleca, kjo është histori tjetër. Mijëra shishe verë! Marrëzi! Madje, nxjerrin edhe shishe në gazetën e partisë. Shishe gjoja 300 euroshe, të marra në Francë. Ndërkohë që aty nuk është shërbyer me shishe. Së dyti, unë mund t’ju them se…
Çfarë vere ishte? I
Ishte e llojeve të ndryshme. Nuk ka pasur vetëm një verë. Është shërbyer me enë të veçanta. Unë nuk ka parë në jetën time shishe vere 300 euro. Nuk e kam provuar as për vete, jo më ta bëja këtë gjë për miqtë e mi shumë të nderuar që ishin aty. Po ta ishte kaq shumë verë, do të kishte ndodhur edhe ndonjë aksident, sepse kanë qenë edhe shi atë natë. E gjithë kjo është një përpjekje e dëshpëruar e disa mendjeve mjaft të lodhura që nuk prodhojnë dot politikë dhe kërkojnë të prodhojnë baltë. Është e drejta e tyre. Nuk kam gjë për të fshehur. Përkundrazi, meqë edhe ju e paskeni me kaq merak.
Zonja Topalli e kishte më merak sesa unë.
Nuk e shohim dot sindromën e Otellos për ata që e vuajnë, por për qytetarët, edhe për ju…
E keni edhe për zonjën Topalli?
…mund të jap këto sqarime. Shpenzimi për një person nuk ka qenë më shumë se 3,5 mijë lekë të reja. Që do të thotë, dy ose tri herë më pak, nëse do të ishte bërë te “Rogneri”, ose te “Sheratoni”. Për sa u takon palmave që janë vendosur atje, jua thashë se sa vete i gjithë shpenzimi. Ngarkim-shkarkim dhe 150 litra karburant nga Vora në Lalëz dhe kthim, me vazo sikurse erdhën. Gjithçka ishte thjesht një ide. Tenda gjigante, që ishte prodhuar gjoja vetëm për këtë ditëlindje, ishte vetëm një mashtrim.
Pse?
Sepse, e para, ditëlindja është vendosur pak ditë përpara për t’u bërë dhe për t’u bërë në atë vend, për arsye edhe të numrit të njerëzve që u shtuan.
Pak nuk ishin…
Unë do të doja të ishin 6 mijë, por nuk kisha mundësi. Pra, edhe në këtë rast, është thjesht një abuzim, sepse çadra të tilla bëhen këtu, janë kompani shqiptare që i kanë të gatshme, me elemente të parafabrikuara për të kompozuar gjëra të tilla. Kështu që…
Kur mbaron, i heqin?
Patjetër. Çadra është vendosur për dyzet e tetë orë. Tani e merr dikush tjetër: bën aktivitet, dasmë, ditëlindje etj. Edhe qiraja e çadrës shkon më pak sesa të marrësh hotel “Sheratonin”.
Më pak?
Më pak. Patjetër.
Po dhuratat si ishin, zoti Meta?
Shumë normale. Ato që duhen deklaruar, do të deklarohen.
Kishte ndonjë dhuratë që ju bëri më shumë përshtypje?
Ajo e pikturave të zotit Rama. Ishte shumë interesante, sepse ishte shtrirë mbi të.
Megjithatë, z.Meta, unë po këmbëngul për faktin se edhe në rrjetet interesi ka qenë shumë i madh. Pse ndodhi kjo, sipas jush? Mirë kjo që po thoni në mënyrë të përgjithshme, megjithëse zonja Topalli ka emër e mbiemër dhe ka folur pesë metër para jush në Kuvend…
Sigurisht që ka folur dhe flet vazhdimisht…
Edhe z.Ngjela, po ashtu…
Flet vazhdimisht gjëra të tilla dhe unë nuk para preferoj t’i përgjigjem në Kuvend, sepse mendoj se vlerësimin për secilin prej nesh e japin qytetarët dhe ata nuk nisen nga ajo se çfarë themi ne, por nga ajo se çfarë bëjmë ne. Për zonjën në fjalë, mendoj se ato që ka bërë në vetëmenaxhimin e Kuvendit, nuk e nderojnë edhe në aspektin e respektimit të ndjeshmërisë të qytetarëve për shpenzimet e politikanëve. Mund t’ju them se unë kam një përqasje tjetër prej saj në këtë drejtim, duke kufizuar në maksimum shpenzimet e lëvizjeve të Kryetarit të Kuvendit. Jo vetëm kaq, por edhe për transparencën e menaxhimit të fondeve të buxhetit të Kuvendit. Por nuk dua të hyj në këtë çështje.
E lidhni këtë me atë që ka thënë z.Braçe për të bërë padi në prokurori për shpenzimet gjatë kohës…
Nuk dua të merrem me këto gjëra. Dua të them se është për të ardhur keq kur dëgjon politikanë të tillë të cilët shpifin jashtë çdo standardi. U morën me ngjalat dy vjet, ia panë hajrin. Tani merren me karkalecat.
A kishit ngjala, apo vetëm karkaleca?
Vetëm tre karkaleca kisha unë për vete. Nuk e di kush ka pasur kaq shumë.
Pse nuk e keni ftuar z.Basha? Nuk keni ftuar edhe shumë të tjerë, por le të ndalemi te z.Basha.
E kemi ftuar për reformën administrative territoriale: kjo është më e rëndësishme.
Po s’është ditëlindje ajo, zoti Meta!
Nuk jemi këtu për “qoka”, por për të zgjidhur ca gjëra më të mëdha. Reforma administrative territoriale është më e rëndësishme, dhe ai po i largohet asaj ftese. Kjo i intereson qytetarëve. Kostoja administrative kursen 80 milionë dollarë. Nuk është pak, apo jo, dhe rikthehemi sërisht.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





