SHBA, 3 prill 2014 – Ish-presidenti amerikan Bill Clinton mendon se njerëzimi mund të mos jetë i vetëm në univers. Në daljen e tij në emicionin e Jimmy Kimmel, ditën e mërkurë, ish-presidenti tha se nuk do të habitej nëse një ditë alienët do të vizitonin planetin tonë.

“Ne e dimë që jetojmë në një univers që zgjerohet. Ne e dimë që ka miliarda yje dhe planete atje tej dhe që universi po bëhet më i madh. Ne e dimë nga teleskopët tanë të mrekullueshëm se vetëm në dy vitet e fundit, më tepër se 20 planete janë identifikuar jashtë sistemit tonë diellor, të cilët janë shumë larg nga Dielli ynë, por edhe shumë afër njëri-tjetri dhe ata mund të kenë ndonjë formë të jetës. Pra, kjo e bën këtë më pak të mundur që ne të jemi vetëm”,- tha Klinton.

Kur Kimmel-i e nxiti për të thënë nëse në të vërtetë ka alienë, Clinton u përgjigj: “Po përpiqem t’ju them se nuk e di. Mirëpo, nëse ata do të na vizitonin një ditë, unë nuk do të habitesha. Shpresoj se kjo nuk është diçka e ngjashme si tek filmi ‘Dita e Pavarësisë’, pra, një konflikt.”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/