Shijak, 3 prill 2014 – Një 15-vjeçare, nga rrethinat e Durrësit, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë së Shijakut se është përdhunuar nga një 27 vjeçar, bashkëfshatar i saj, me të cilin ishte larguar nga shtëpia gjatë muajit mars.
Para efektivëve të rendit dhe psikologes, adoleshentja ka rrëfyer se gjatë muajit mars ishte larguar nga shtëpia e saj, së bashku me shtetasin A.L., 27 vjeç, i cili sipas saj ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të në Tiranë.
15 vjeçarja rezultonte të ishte shpallur në kërkim nga policia, pasi prindërit e saj kishin denoncuar largimin nga shtëpia gjatë muajit të kaluar. Policia ka nisur punën për të ndaluar 27 vjeçarin, mbi të cilin rëndon akuza “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.
Njëkohësisht, lidhur me këtë rast komisariati i policisë së Shijakut ka arrestuar në flagrancë 33 vjeçarin A.T., i cili sipas policisë kishte dijeni për ngjarjen në fjalë, por ka fshehur krimin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





