Sukth, 3 prill 2014 – Dy banorë të bashkisë Sukth kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi nën efektin e alkoolit që kishin konsumuar me shumicë në lokalin e një shtetasi në fshatin Kullë, Sukth kanë shkatërruar të gjithë lokalin. Burime të policisë bëjnë të ditur se 47 vjeçari Xheladin Lusha dhe 37 vjeçari Lavdurim Lusha janë ndaluar nga forcat e rendit, pasi kanë thyer dhe dëmtuar orenditë e lokalit dhe kanë thyer të gjithë xhamat e tij.
Mësohet se dy shtetasit kishin shkuar në lokalin e 37 vjeçarit A.B, në fshatin Kullë, dhe pasi kanë konsumuar një sasi të madhe alkooli kanë nisur të konfliktohen me pronarin e lokalit.
Konsumimi i alkoolit në shkallë të madhe ka bërë që konflikti mes palëve të përshkallëzohet edhe më tej. Në gjaknxehtësi e sipër, dy të ndaluarit kanë nisur të shkatërrojnë lokalin, ndërkohë që pronari i tij, bashkë me një tjetër shtetas kanë reaguar duke qëlluar me mjete të forta 47 vjeçarin Lusha. Ky i fundit ka pësuar dëmtime të ndryshme në trup nga goditjet e marra.
Ndërsa mbi dy të ndaluarit Lusha rëndon akuza “Shkatërrim prone” , policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë edhe ndaj pronarit të lokalit, shtetasit 36 vjeçar A.B. si dhe ndaj 29 vjeçarit A.S., që rezulton të ketë ndihmuar këtë të fundit t’i japë “një mësim” të mirë personit që i shkatërroi lokalin. Mbi këta dy shtetas rëndon akuza “Plagosje e lehtë me dashje”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





