Itali, 3 prill 2014– Një ngarkesë drogë me vlerë rreth 10 milionë euro është kapur në Itali. Në pranga kanë rënë dy shqiptarë, të cilët trafikonin në kamionin e tyre 52 kilogramë kokainë të pastër. Lënda narkotike vinte nga Holanda dhe kishte si destinacion Piemonten në Itali. Ngarkesa me lëndën narkotike është bllokuar në portin e Verçellit. Droga do të hidhej në treg duke u shitur me doza.
Kokaina ishte ngarkuar në Holandë, pasi kishte ardhur nga Amerika Jugore dhe ishte ndarë në pako. Kamioni me shoferë dy shqiptarët, kishte bërë qindra-mijëra kilometra, përpara se të kapej nga patrullat e policisë në Breshia. Dy shqiptarët, sipas autoriteteve italiane, dyshohet se janë të lidhur me një organizatë kriminale nga Kolumbia, me degë në disa vende të ndryshme të Europës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





