Durrës, 3 prill 2014 – Për herë të parë të parë në Durrës është hapur një ekspozitë me punimet e fëmijëve autikë për edukimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për përkrahjen dhe integrimin e tyre në shoqëri. Përmes këtyre punimeve, fëmijët që vuajnë nga kjo sëmundje kanë përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese për aftësitë e tyre të veçanta.

Kjo nismë u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, Qarku Durrës dhe palëve të interesuara si: World Vision, Qendra “Ecim së Bashku”, Qendra “Jetë në Zhvillim” Arameras, Fushë-Krujë, Qendra Kristiane e Durrësit, Qendra Rezidenciale e Zhvillimit Durrës, Shkolla Speciale e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar, Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile dhe Teatri ”Aleksandër Moisiu”. 

Në aktivitet ishin të  pranishëm zv. Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme që dhanë ndihmën e tyre në organizimin e këtij aktiviteti.

Kjo nismë u frymëzua nga një grup të rinjsh aktivistë në qytetin e Durrësit, të cilët mblodhën shishe plastike në disa prej lokaleve dhe bizneseve të qytetit me qëllim shitjen për riciklim. Paratë e mbledhura nga kjo shitje u përdorën për t’u ardhur në ndihmë  fëmijëve autikë  të një qendre të specializuar në Durrës. U blenë materiale për punime dore, materiale që ndihmojnë shumë në zhvillimin e këtyre fëmijëve. Fëmijët i përdorën këto materiale për të bërë disa punime që u paraqitën në ekspozitën e hapur në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.  

Kësaj nisme iu bashkëngjitën dhe shumë të rinj të tjerë vullnetarë të këtyre qendrave dhe institucioneve, të cilët kanë zhvilluar biseda me qytetarë të Durrësit dhe kanë ndarë me ta informacion në lidhje me autizmin, si t’i identifikojmë fëmijët me autizëm dhe si të punojmë me ta.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/