DURRËS, 1 prill 2014 –  Me sa duket, një nga arsyet e vërteta të  ftesës që iu bë kreut të qeverisë shqiptare për të vizituar Berlinin në prag të qershorit, është deklarimi i Kancelares së hekurt Angela Markel se “për investitorët gjermanë ka shumë rëndësi siguria juridike”, duke u “përkthyer”: nuk duhet të preken nga drejtësia shqiptare koncesionet e dyshimta të dhëna nga qeveritë e Fatos Nanos dhe Sali Berishës.

Kryeministri Edi Rama pati takime në Berlin edhe me zevëndëskancelarin dhe ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës Sigmar Gabriel; përfaqësues të disa bankave dhe kompanive të njohura gjermane.

Si në pyetjet që iu bënë në konferencë shtypi Merkelit dhe Ramës, ashtu dhe këtij të fundit në “Deutsche Welle”, theksi u vu më shumë në problemet ekonomike, pasi biznesi gjerman ka marrë koncesione në sektorë strategjikë si transporti ajror dhe portual.

Teksa Rama udhëtonte në drejtim të Berlinit dhe Brukselit, Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto informoi publikisht se është iniciuar një proces bisedimi me përfaqësuesit gjerman të koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza” për gjetjen e zgjidhjeve për perspektivën e aviacionit civil në Shqipëri, që do të thotë ndërtimin e aeroporteve të tjera në vend, por që në marrëveshjen Nano-Berisha me koncensionarin e TIA-s (Tirana International Airports), kjo gjë nuk përfshihet.

“Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka numrin më të vogël të aeroporteve dhe tarifat më të larta të shërbimit ndaj qytetarëve”, tha Haxhinasto.

Por drejtori i Rinasit Rolf Castro-Vasquez është dhe president i DIHA-s (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), kurse zëvendëspresident është Jens Ströber, menaxheri i Terminalit Lindor të portit të Durrësit.

Me sa duket, Berlini bëri të qartë se nëse Tirana do statusin në qershor, apo vizitë të Merkelit në Tiranë, duhet të japë garanci se nuk do të preken me gjykata koncesionet e dhëna nga Fatos Nano dhe Sali Berisha, qoftë dhe me shkelje ligjore.

Lexuesit po i paraqesim pa koment këto deklarime.

Në konferencën e shtypit

Pyetje:  Zonja Merkel, Shqipëria prej vitesh bashkëpunon me FMN-në, por gjatë këtyre viteve, prania e investitorëve gjermanë nuk është aq shumë e ndjeshme. A biseduat ju me Kryeministrin Rama në lidhje me këtë çështje dhe si e shikoni ndryshimin?

Kancelarja Merkel:Po, unë fola me të për këtë. Ne folëm për faktin që projekte të caktuara të Organizatës Kreditore për Rindërtimin të regjistrohen shumë pozitivisht për Shqipëri, për sa i përket konfigurimit të infrastrukturës në Shqipëri.

Së dyti, Kryeministri do të ketë bisedime edhe me investitorët gjermanë. Ne do t’i inkurajojmë ata të vijnë në Shqipëri. Për investitorët gjermanë, për investitorët privatë ka shumë rëndësi siguria juridike. Ata duhet të kenë besim te sistemi juridik dhe prandaj ne këmbëngulim shumë te reforma në drejtësi. Jo sepse e konsiderojmë të bukur që të funksionojë si duhet sistemi juridik, por ne kemi shumë sipërmarrje të mesme në Gjermani, të cilat varen shumë nga fakti që ta investojnë kapitalin e tyre atje ku gjejnë dhe kushte të mira. Sa më shpejtë të reformohet sistemi juridik, aq më i madh dhe aq më i shpejtë do të jetë edhe interesi i investitorëve gjermanë për Shqipërinë. Domethënë, merren më shumë produkte nga Shqipëria, importohen në Gjermani. Unë jam e sigurt që edhe bilanci i importit dhe eksportit do të balancohet.

Kryeministri Rama:Unë do të shtoja edhe një herë tjetër që patëm një dakordësi të plotë me Kancelaren lidhur me domosdoshmërinë që rajoni si i tërë të zhvillohet në mënyrë më të integruar dhe bashkëpunimi rajonal, në aspektin ekonomik, të shkojë duke u forcuar.

Sikundër, e përsëris, ne jemi shumë të dëshiruar dhe do të bëjmë gjithçka për të krijuar kushtet, për të tërhequr sa më shumë investime gjermane në Shqipëri. Investimet gjermane në Shqipëri, ne i shohim jo vetëm si burim të ardhurash, por edhe si një instrument të transformimit të kulturës së sipërmarrjes dhe të kulturës së punës. E për këto arsye, i konsiderojmë me një vlerë të dyfishtë. Prandaj do të vazhdojmë kontaktet edhe me sipërmarrjen këtu dhe kemi planifikuar për të çuar më tutje këto kontakte, në disa takime të mëtejshme me disa nga grupet e mëdha gjermane, në Gjermani.

Në “Deutsche Welle”

DW:  Zoti Rama, vizita juaj në Berlin ndodh para se ju të shkoni në Bruksel. A do të thotë kjo, se për të hyrë në BE duhet të kalosh nga Berlini?

Edi Rama:Sigurisht që nuk shkohet në BE pa kaluar nga Berlini. Por nga ana tjetër këto dy vizita janë bashkuar për të fituar sa më shumë kohë.

DW:  Zoti Rama, edhe politikanët gjermanë nuk i mohojnë zhvillimet pozitive të Shqipërisë, reformat e marra, apo projektet, që po ndjek vendi. Por ata kërkojnë më shumë prova konkrete të realizimit të tyre në jetë. Ju kishit prova të tilla në tryezën e bisedimeve gjatë takimeve, që janë vënë në jetë dhe janë bindëse për rrugën e duhur të Shqipërisë drejt integrimit europian?

Unë mendoj se prononcimi i Kancelares ishte mjaft i qartë dhe kuptimplotë. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për një stacion, ku mbërrihet dhe pastaj mund të ulesh. Bëhet fjalë për një proces dhe procesi është i mbushur me sfida. Ne ndamë bindjen e thellë se pa një reformë reale të drejtësisë, synimi për t'u anëtarësuar plotësisht në Bashkimin Europian mbetet në fund të ditës një iluzion, kështu që rruga e integrimit është e lidhur domosdoshmërisht me rrugën e reformimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë dhe ne jemi shumë të vendosur ta bëjmë këtë gjë, aq më tepër me mbështetjen e plotë të partnerëve tanë, SHBA, BE dhe sigurisht edhe të Gjermanisë, mbështetjen e së cilës lidhur me këtë reformë Kancelarja e konfirmoi edhe në mënyrë shumë eksplicite.

DW:  Pra ju do të shkoni në Tiranë me një sërë, le ta quajmë “këshilla, apo sugjerime nga Berlini, sa u përket reformave, veçanërisht në sektorin e drejtësisë?

Edi Rama:Këtu nuk bëhet fjalë për sugjerime të natyrës teknike, por bëhet fjalë për një vizion të përbashkët dhe plotësisht të dakorduar, lidhur me çfarë do të bëjë Shqipëria për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit dhe për të bërë të mundur që anëtarësimi në Bashkimin Europian, kur do që ai të vijë, të vijë si pasojë e një transformimi real të jetës së vendit. Nga ana tjetër me kënaqësi kam ndarë me Kancelaren edhe bindjen tonë se integrimi në Bashkimin Europian nuk është një udhëtim për diku, por është një udhëtim brënda nesh, për të nxjerrë më të mirën nga ne dhe për të modernizuar vendin tonë. Vendi ynë është në Europë, do të bëjmë gjithçka, që të meritojmë atë vend, që shqiptarët aspirojnë dhe që me ndihmën e Kancelares dhe partnerëve tanë europianë ne do të mund t'ua japim, duke bërë të gjitha detyrat tona, duke shprehur vetëdijen, që procesi i integrimit është proces i patjetërsueshëm.

DW:  Zoti Rama, ju u takuat edhe me përfaqësues të biznesit gjerman, të sipërmarrjeve të njohura gjermane. Madje në takimin me zëvendëskancelarin dhe ministrin e Ekonomisë, Sigmar Gabriel, ai sikur premtoi që Gjermania do të rrisë prezencën ekonomike në Shqipëri. A u fol për sektorë të veçantë të Shqipërisë, që ju do t'ua besonit pikërisht këtyre investitorëve nga Gjermania?

Edi Rama:Ne folëm shumë qartë dhe hapur jo vetëm në takimin me Kancelaren, ku sigurisht edhe në këtë takim është prekur çështja e nevojës për një rritje reale ekonomike të rajonit dhe pa dyshim të Shqipërisë si pjesë e rajonit përmes rritjes së investimeve të huaja direkte. Kemi pasur disa takime me përfaqësues të firmave dhe kompanive të njohura gjermane, nga sektori i energjisë, i turizmit me përfaqësues nga banka gjermane, që kanë interes të investojnë në Shqipëri. Takime mjaft interesante, inkurajuese, do t'i shtjellojmë në mënyrë më të strukturuar, për këtë kemi biseduar në të gjitha nivelet në kontaktet me sipërmarrjet gjermane dhe në vijim do të kemi stacione të tjera në një rrugëtim, që besojmë se do të na sjellë më pranë investimeve gjermane në Shqipëri.

DW:  A kanë interes vetë gjermanët për të investuar në Shqipëri, zoti Rama?

Edi Rama:Sigurisht që çështja e rritjes së investimeve të huaja është një çështje, që kërkon jo vetëm interesin e një pale, por edhe garancitë e palës tjetër. Ne jemi të gatshëm për pjesën tonë të sfidës dhe jam i bindur që dorë pas dore do të shikojmë gjithmonë e më tepër sipërmarrje gjermane të gatshme, që të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë për të rilindur Shqipërinë ekonomikisht dhe për t'i dhënë vendit tonë atë mirëqenie, që aspiron prej kaq shumë kohësh dhe që i mungon prej kaq shumë kohësh.

DW:  Ju përmendet modelin gjerman të kulturës së punës. Mos do të thotë kjo që me ardhjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri, vjen edhe ky model kulture?

Edi Rama:Sigurisht që po. Për ne është dyfish e vlefshme të kemi më shumë investime nga Gjermania, më shumë kompani gjermane, që vendosen në Shqipëri, sepse nga njëra anë është sigurisht vlera e investimit, por nga ana tjetër është edhe vlera e kulturës së punës, që i dallon padyshim gjermanët në mënyrë të posaçme dhe që me siguri është patjetër një vlerë e shtuar për këdo, që punon me gjermanët.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/