Durrës, 31 mars 2014 – Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar rreth orës 21.45 të së hënës në Shijak. Nga të dhënat e para mësohet se ka mbetur i plagosur një person që është shoqëruar me urgjencë drejt spitalit të qytetit bregdetar. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirugjikale, pasi është në gjendje të rëndë.
I plagosur mësohet se ka mbetur shtetasi Ilir Hoxha, 42 vjeç, banues në Sallmone. Efektivë të policisë së Durrësit dhe komisariatit të Shijakut janë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat e plagosjes dhe autorët e saj. Sipas dëshmive të para mësohet se 42 vjeçari Hoxha është qëlluar ndërsa po zbriste nga makina e tij për të shkuar në shtëpi. Ngjarja është regjistruar tek 4 rrugët e Shijakut. 42 vjeçari Ilir Hoxha njihet si biznesmen në fushën e hekurit dhe rezulton të jetë person me precedentë penalë.
Dyshohet se në atentatin ndaj Hoxhës kanë marrë pjesë dy persona, që pasi kanë shtënë ndaj biznesmenit janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet. Policia është duke marrë dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje për të hedhur dritë mbi dinamikën e atentatit.
Larja e hesapeve mes grupeve rivale është një nga pistat mbi të cilat po heton policia, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e ndonjë konflikti të Hoxhës për motive biznesi. Policia e Durrësit dhe ajo e Shijakut kanë ngritur postblloqe në të gjitha akset kryesore rrugore në ndjekje të autorëve të plagosjes. Ndërkohë efektivë të policisë po marrin në pyetje edhe të afërm të biznesmenit, të cilët mund të hedhin dritë mbi ndonjë konflikt të mundshëm të tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





