Durrës, 31 mars 2014 – Policia e Durrësit, përmes një njoftimi për shtyp, reklamon si sukses faktin se gjatë tremujorit të parë të këtij viti numri i automjeteve të vjedhura në rang qarku është zero. Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti nëse vërtet policia ka arritur sukses në parandalimin e rasteve të vjedhjeve të automjeteve, apo nëse hajdutët kanë ndryshuar taktikë dhe janë më tepër të interesuar të vjedhin pjesë të automjeteve, sesa të gjithë mjetin.
Në një përfundim të tillë të çon konstatimi se në këto tre muaj, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës janë dokumentuar një sërë rastesh, madje edhe janë ndaluar persona të ndryshëm, të akuzuar për vjedhjen e aksesorëve të automjeteve, si pasqyra, kasetofonë, disqe, fenerë apo edhe shuma parash ne automjete.
Një rast që tërhoqi një vëmendje të madhe në qytetin e Durrësit ishte vjedhja e dyerve, grupit të timonit dhe pjesëve të tjera të automjetit të një Benzi luksoz në lagjen nr.5 të qytetit bregdetar, vjedhje kjo e konstatuar mëngjesin e së shtunës.
Gjatë kësaj periudhe 3-mujore, policia e Durrësit ka ndaluar 4 shtetas të akuzuar për vjedhjen e pjesëve të ndryshme të automjeteve, ndërkohë që rastet e vjedhjeve janë disa herë më të larta.
Pra më shumë sesa sukses i policisë, fakti që nuk është vjedhur asnjë automjet është mesa duket një taktikë e zgjedhur nga vetë personat që e kanë kthyer në “profesion” këtë veprimtari të paligjshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





