Krime, 31 mars 2014 – Kryeministri rus Dmitry Medvedev ndodhet në Krime. Ai wshtw zyrtari më i lartë rus që viziton rajonin pas aneksimit nga Rusia këtë muaj. Medvedev thotë se ai po kryeson një delegacion të zyrtarëve rusë për një takim lidhur me atë që ai e quajti "zhvillim" të gadishullit.

Kryeministri tha se Rusia do të krijojë një zonë të veçantë ekonomike në Krime, duke ofruar stimuj për biznesin me taksa më të ulëta dhe me rregullore të thjeshtuara. Medvedev bëri gjithashtu premtime për të rritur pagat dhe pensionet në Krime.

Vizita e tij bëhet një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërkoi që Rusia të tërheqë mijëra trupa të saj të grumbulluara përgjatë kufirit me Ukrainën lindore dhe jugore. Kerry i tha dje ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Paris se trupat janë duke krijuar një "klimë e frike" në Ukrainë dhe se prania e tyre nuk kontribuon aspak për diplomacinë.

Lavrov nuk komentoi drejtpërdrejt mbi forcat ruse. Por gjatë javës së kaluar ai disa herë i siguroi Shtetet e Bashkuara se Rusia nuk ka plane për të kaluar kufirin në Ukrainë. Kerry tha se ai dhe Lavrov ranë dakord se ukrainasit kanë të drejtë ta vendosin vetë të ardhmen e tyre.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/