Tiranë, 31 mars 2014 – 56 barna të reja duke filluar nga dita e nesërme do t’i shtohen listës së barnave të rimbursueshme. Sipas Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Astrit Beci në hartimin e listës së re të barnave janë marrë parasysh disa kritere shkencore, duke i dhënë prioritet barnave të cilat përdoren për sëmundje të rënda; sëmundje me rrezikshmëri të lartë për jetën; sëmundje që shkaktojnë invaliditet; sëmundje që kanë rrezikshmëri përhapje në shoqëri; sëmundje që shkaktojnë shumë vuajtje si dhe sëmundje kronike që kërkojnë mjekim të zgjatur.
“Barnat e reja të përfshira në listë, shërbejnë për sëmundje si diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, disa sëmundje tumorale, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shëndetin mendor, alergiologji dhe okulistikë”,– bën me dije Beci.
Ai thekson se risia e këtij viti është dhe përfshirja e disa sëmundjeve të pambuluara më parë, si, disa lloje tumoresh, Hepati B dhe C, çrregullimet hormonale, apo edhe varësia nga alkooli. Trajtimi i këtyre nozologjive, duke filluar nga nesër, do të bëhet me barna që hyjnë në listën e rimbursimit për herë të parë”.
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore sqaron se janë shtatë diagnoza të reja që mbulohen nga lista e barnave të rimbursueshme këtë vit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





