Durrës, 31 mars 2014 – Policia kufitare dhe e migracionit në Durrës, në afërsi të grykëderdhjes së lumit Seman, ka bërë të mundur zbulimin dhe bllokimin e një gomoneje. Gomonia me mbishkrimin “Marlin”, me gjatësi 5.5 metër drejtohej nga një 36 vjeçar nga Kavaja me iniciale Sh.V., i cili po vinte nga Italia në drejtim të Shqipërisë me këtë mjet lundrues dhe nuk dispononte asnjë lloj dokumentacioni për mjetin lundrues.
Nga ana e policisë u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i mjetit lundrues si dhe u kryen veprimet e para hetimore lidhur me rastin në fjalë. Lidhur me këtë rast materialet për ndjekje penale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Kontrabandë me mallra të tjerë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





