Tiranë, 31 mars 2014 – Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë të ndërmarrë hapa për zbardhjen e ekzekutimit të shqiptarit në burgun grek. Deputetja demokrate, Albana Vokshi, në një dalje për mediat kërkoi nga ekzekutivi shqiptar të marrë në konsideratë dhe të trajtojë me seriozitet maksimal, pretendimet dhe kërkesat e familjarëve të viktimës. 

 

Deklarata e plotë e Albana Vokshit

Partia Demokratike i kërkon qeverisë shqiptare të ndërmarrë çdo hap të mundshëm institucional që do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë, për rastin e Ilia Karelit që u torturua dhe u ekzekutua në burgun grek. 
Partia Demokratike, i kërkon qeverisë shqiptare që të marrë në konsideratë dhe të trajtojë me seriozitet maksimal, pretendimet dhe kërkesat e familjarëve të viktimës. 
Partia Demokratike e dënon ngjarjen e rëndë, dhe çdo lloj shkelje të të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të dhunës ndaj të dënuarve shqiptarë në burgjet greke, dhe kërkon hetim dhe drejtësi për rastin e Ilia Karelit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/