Fier, 31 mars 2014 – Është përcjellë në banesën e fundit Kudret Kume, i njohur ndryshe si Ilia Kareli, shqiptari që humbi jetën në burgun grek si pasojë e torturave. Arkivoli o tij është mbuluar me flamurin kombëtar, ndërkohë që edhe të pranishmit në radhën e parë mbanin në duar flamuj. Prokuroria  e Fierit ka nisur hetimet për vdekjen e Kumes, ndërkohe që ekspertiza është bërë edhe në prani të ekspertëve nga Tirana. Nuk ka ende të dhëna rreth asaj që kanë konstatuar ekspertët gjatë riekspertimit. Trupi i tij është tërhequr paraditen e sotme në morgun e qytetit të Fierit për t’iu nënshtruar edhe njëherë ekspertizës mjeko-ligjore.

“Tortura çnjerëzore. Nuk i kanë lënë pjesë të trupit pa e masakruar. Madje i kanë nxjerrë edhe një sy. Edhe thonjtë ia kanë nxirë e djegur. Kraharorin ia kanë shtypur nga ana e majtë. Ia kanë nxirë gjithë trupin djalit. E kishin bërë sterrë të zi, nuk shihej”. Kështu është shprehur para mediave Ylvie Hoxha, halla e Kudret Kumes, shqiptari që u masakrua në burgun e Malandrinos pasi vrau me thikë një gardian. Ajo tregoi se ka shkuar vetë në Athinë së bashku me djalin e dajës së Kudretit, Mevlanin dhe kanë tërhequr nga morgu trupin e pajetë të Kudretit, por pamja ka qene shokuese.

 

“To Vima” publikon letrën e plotë të Karelit para vrasjes së gardianit të burgut 
E përditshmja greke “To vima” ka publikuar të plotë letrën e Ilia Karelit ku dhe zbardhen arsyet e gjestit të tij. Ai akuzonte autoritetet se i kishin marrë jetën dhe se e kishte shlyer dënimin e tij prej kohësh.

Në letrën e plotë të botuar në të përditshmen “To Vima” shkruhej ndër të tjera: 
“Drejtorisë së burgut, Malandrino
Më mbani kot në burg për kaq kohë, kaq shumë vjet, vetëm për vjedhje, duke mos qenë se kam vrarë ndonjë njeri. Përse?
Përse nuk më latë të shkoj në shtëpinë time, të gjej të gjallë nënën time, përse? Përse nuk më latë të krijoja edhe unë familjen time, përse?
Jam brenda që nga viti 1997 dhe nuk u ngopët kaq vjet me jetën time?
Deri tani e kam shlyer burgimin e përjetshëm dhe 4 vjet punë. Me gabimin që kam bërë nuk më takonin kaq vjet dënim dhe akoma vazhdoni të më mbani, përse?
Serpse tani duhet që unë detyrimisht të marr një nga jetët tuaja.
Përse më morët gjithë jetën time, përse, përse, përse?”,-
përfundon letra e Ilia Karelit.

 

Reagimi i Berishës

Krim të shëmtuar shtetëror të autoriteteve policore greke, e ka quajtur ish kryeministri Sali Berisha vdekjen e shqiptarit Kudret Kume,i njohur si Ilia Kareli, që humbi jetën si pasojë e torturave në burgun grek. Në një postim në FB, Berisha e quan atë vijim të krimeve të radhës që kryhen ndaj emigrantëve shqiptarë në një situatë tejet të rëndë për ta, që ekziston në burgjet greke.

Postimi i plotë i Sali Berishës

Nje krim i shemtuar shteteror i autoriteteve policore greke.Nje lajm trondites vjen nga burgjet e Greqise. Gardianet greke kane torturuar, masakruar dhe i kane marre jeten shtetasit shqiptar Kudret Kume, alias Ilir Kareli, pasi ky i fundit kishte vrare nje gardian ne burgun ku vuante denimin. Duke denuar me ashpersi vrasjen e gardianit grek ne detyre dhe shprehur ngushellimet e sinqerta familjes se tij, une gjithashtu i shpreh ngushellimet me te sinqerta familjes se Kudret Kumes dhe denoj me indinjate te thelle krimin e shemtuar shteteror te vrasjes me tortura çnjerezore te shtetasit shqiptar ne qeline ku ai vuante denimin. Ky akt i rende kriminal nuk eshte i izoluar, por eshte nje nder krimet e radhes qe kryhet ndaj emigranteve shqiptare ne nje situate tejet te rende per ta, qe egziston ne burgjet greke. Akte te tilla çnjerezore jane deshmi e problemeve serioze me te cilat perballen emigrantet shqiptare dhe jane shprehje e albanofobise qe ushqejne ne vendin fqinj qarqe te caktuara politike, mediatike, zyrtare e jo zyrtare. I bej thirrje autoriteteve greke te hetojne me transparence dhe paanesi te plote dhe te ndeshkojne autoret dhe urdherdhenesit e ketij krimi shteteror dhe te garantojne te drejtat e te burgosurve pa diskriminim si dhe t’u kundervihen me force akteve albanofobike si akte atavike dhe primitive.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/