Durrës, 31 mars 2014 – Në orët e para të mëngjesit së së hënës, policia e Durrësit ka arrestuar dy shtetas nga Shkodra, të cilët po tentonin të trafikonin në Itali rreth 25 kg kanabis sativa. Arrestimi i shtetasve, Lutfi Ballashiti, 32 vjeç dhe Sajmira Korteshi, 41 vjeçe, të dy banues në Shkodër u bë pasi në automjetin tip Opel Tigra me targa AA314DX në pronësi të 32 vjeçarit u gjetën 43 pako të mbështjella me celefon transparent, brenda të cilave gjendej lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Pas peshimit rezultoi se dy shtetasit po tentonin të transportonin për në Itali 24.80 kg kanabis. Ndalimi i tyre u bë gjatë kontrollit të imtësishëm që policia kufitare ushtroi në automjetin e Ballashitit.
Lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e derës së pasagjerit, në parafangon e pasme si dhe brenda serbatorit. Dy transportuesit e drogës po prisnin të imbarkoheshin në një nga tragetet e linjës Durrës – Bari.
Materialet për të dy këta shtetas iu kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për vepren penale “Prodhim dhe shitje e narkotikeve”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





