Tiranë, 31 mars 2014 – Rinisën paraditen e sotme kërkimet për gjetjen e të riut që ra në një nga kanionet e Erzenit, në vendin e quajtur Skurran, 30 metra poshtë Shpellës së Pëllumbasit, matanë malit të Dajtit, me shpresën për të gjetur 18-vjeçarin. Erjon Alizoti kishte shkuar për ekskursion me një grup shokësh, por pasditja e projektuar për argëtim nuk shkoi ashtu për ta.
Paraprakisht thuhet se Erjon Alizoti ka rënë aksidentalisht. Operacioni i kërkim-shpëtimit nga palombarët e RENEA-s nisi që dje, por u ndërpre në orët e mbrëmjes, pasi terreni i thyer dhe shkëmbor, si dhe errësira, bënin të pamundur vijimin e tij.
Ngjarja
Një grup prej afro 60 të rinjsh, disa maturantë dhe pjesa tjetër studentë, u nisën dje në mëngjes në një ekskursion për të vizituar shpellën e Pëllumbasit, në periferi të Tiranës. Pasi përfunduan eksplorimin e shpellës, një grup prej rreth 20 personash nuk u kthyen pas me pjesëtarët e tjerë të grupit, por vendosën të zbresin poshtë për të vizituar kanionet e lumit Erzen. Përveç terrenit të vështirë për të zbritur te lumi, dëshmitarët kanë treguar se edhe rrjedha e lumit Erzen është e vështirë për t’u përballuar, sidomos në këtë sezon. Sipas tyre, është shumë e furishme dhe përllogaritet nga 1500-2000 metra kub ujë në sekondë. Megjithatë, të rinjtë kanë rrezikuar dhe ata që kanë rrezikuar më shumë kanë qenë Erjon Alizoti e shoku i tij, Daniel S., 18-vjeçarë, të cilët u përfshinë në një aksident, fundi i të cilit ende nuk është mësuar zyrtarisht as nga Policia. Adoleshentët rrëshqitën dhe ranë në lumin e furishëm, pa arritur të ndihmoheshin nga pjesa tjetër e grupit. Njëri prej tyre, Danieli, arriti të dilte në sipërfaqe dhe u dërgua në spital, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u largua në shtëpi. Ndërsa shoku i tij, Erjoni, ende nuk është gjetur as nga Policia, as nga banorët e fshatrave përreth, të cilët kanë kërkuar deri në orët e mbrëmjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





