Tiranë, 31 mars 2014 – Në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Mbrojtjes me rastin e 5-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në NATO, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është e gatshme të paguajë çmimin e lirisë. 

“Obama tha pak ditë më parë se situata në Ukrainë na kujton se liria nuk është falas. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të paguajmë çmimin e lirisë sonë në çdo përmasë. Lirinë nuk mund ta kemi falas. Pjesëmarrja në këtë aleancë e bën barrën tonë më të lehtë, çmimin e lirisë sonë shumë më të merituar. Në këtë përvjetor të anëtarësimit tonë në NATO, gjaku i dëshmorit tonë kapiten Feti Voglit dhe gjaku i shumë djemve dhe vajzave në gjirin e forcave aleate në frontet ku kjo Aleancë lufton për lirinë dhe sigurinë janë dëshmia më kuptimplotë e çmimit të lirisë, por dhe prova më e padiskutueshme e forcës së besëlidhjes sonë të madhe euroatlantike.”,- u shpreh Rama. 

Sipas kryeministrit, përpos përparësive të shumta të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, prania e vendit në aleancë shoqërohet edhe me përgjegjësi madhore. 

“Me hyrjen në NATO Shqipëria ka garantuar angazhimin e saj dhe të aleatëve të saj për të mbrojtur edhe ushtarakisht integritetin dhe pavarësinë e saj. Dhe për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë të çdo vendi aleat me të dhe për mbrojtjen e paqes lirive dhe te drejtave kudo ku kjo aleancë e sheh të nevojshme.”,– vijoi Rama. 

Ndërkohë gjatë fjalës së saj ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli kujtoi angazhimet e para të Shqipërisë përkrah vendeve të NATOS-s, deri në anëtarësimin e plotë të saj, me qëllim vendosjen e paqes dhe sigurisë globale. Ministrja u shpreh krenare për ndërhyrjen e NATO në Kosovë dhe ndihmën që dha Shqipëria.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/