Durrës, 30 mars 2014 – Idriz Batha ka vendosur që në minutën e 4-t fatin e ndeshjes së luajtur në “Niko Dovana”. Ish-lojtari i Besës ka shënuar një gol të rëndësishëm që vlen tre pikë duke i dhënë qetësinë e duhur psikologjike Teutës në një ndeshje të luftuar fort, ku krutanët kishin nevojë jetike për pikë. Madje, kjo transfertë mund të konsiderohet si “treni” i fundit për mbijetesë i Kastriotit në Superiore, kështu që dështimi në Durrës i bën ata thuajse po aq sa Lushnja të rrezikuar për të zbritur në Kategorinë e Parë.
Në pjesën e parë durrsakët kanë qenë mjaft agresivë dhe e kanë nisur ndeshjen në sulm ku Batha finalizon atë gol që do t’i jepte tre pikët Teutës. Edhe pas shënimit të golit, Teuta sulmon rrezikshëm dhe ka edhe raste të tjera për shënim por që nuk finalizohen. Kastrioti nga ana e tij nuk e gjen qetësinë e duhur për të rrezikuar mjaftueshëm portën durrsake, megjithëse ka disa raste që mund t’i kishte shfrytëzuar më mirë.
Pjesa e dytë karakterizohet nga një lojë e fortë ku durrsakët përveçse janë vendosur në mbrojtje të avantazhit tentojnë të shënojnë edhe golin e dytë, por nuk arrijnë të finalizojnë. Me kalimin e minutave, Kastritoti sa vjen e bëhet më i rrezikshëm dhe i afrohet disa herë portës madje në fund të ndeshjes presioni është i madh për durrsakët që duan të shpëtojnë nga hijet e së shkuarës, kur rezultati është barazuar në disa ndeshje në fund të takimit. Pavarësisht presionit të madh të Kastriotit, që kërkon me ngulm të dilte me pikë nga “Niko Dovana”, krutanët me këtë humbje e kanë thuajse të sigurt rënien një kategori më poshtë.
Ndeshja ka përfunduar me fitoren 1- 0 të Teutës, e cila mban vendin e pestë në klasifikim me 39 pikë, 4 pikë më shumë se Besa e vendit të gjashtë. Tashmë durrsakët duket se i janë rikthyer fitoreve dhe janë më komodë në tabelën e klasifikimit, ku që nga ndeshja e ardhshme do të sulmojnë vendin e tretë në klasifikim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





