·        Në kërkim të destinacioneve të reja për pushime me buxhet të lirë në Evropë biznesi turistik i Peterburgut e ka drejtuar vëmendjen drejt Shqipërisë. Praktikisht është një vend ballkanik i panjohur për opinionin publik rus. Ky vend shtrihet për mrekulli në brigjet e deteve Adriatik dhe Jon, rrethuar nga fqinj më të popullarizuar sikurse janë Greqia dhe Mali i Zi. Për shkak të izolimit të gjatë, Shqipëria ia ka arritur të ruajë jo vetëm identitetin e vet dhe plazhet e pastra, por edhe çmime të përballueshme për pushime – në krahasim, gjithsesi, po me ata fqinj, shkruan botimi në internet në rusisht TRN-NEWS.RU.

 

DURRËS, 30 mars 2014 –  Selia e aristokracisë dhe rezidenca e perandorëve rusë, Shën Peterburgu, nuk “pyet” shumë për politikat e Kremlinit kur është puna për të nxjerrë para “turistike” nga Shqipëria, madje i bën një reklamë në përmasa të mëdha vendit të vogël ballkanik. Ngjarjet e fundit në Ukrainë dhe Krime, solidarizimin i Shqipërisë me sanksionet e BE-së, nuk kanë ndikuar fare në biznesin e  udhëtimeve në “kryeqytetin” de fakto të Rusisë, sikurse është Peterburgu dhe në kryeqytetin zyrtar Moskën, të paktën kështu duket në mediet e specializuara të biznesit të Federatës Ruse. “Dyrrah” ka përkthyer një shkrim të gjatë, botuar më 29 mars 2014 në disa medie on-line (shih faksimilen faqes së botimit elektronik TRN-NEWS.RU), ku flitet për interesin që ka ngjallur Shqipëria si destinacion turistik për vitin 2014. Në sajtet ruse qesh me qindra fotografi për Durrësin, disa prej të cilave po i botojmë.

Në prag të sezonit veror 2014 agjencitë turistike ruse “Foros” dhe “Neva” nga Shën Peterburgu njoftuan zyrtarisht se po fillojnë të punojnë në destinacionin shqiptar. Secila nga kompanitë ofron udhëtime në Shqipëri, duke vënë në dukje se pikë nisjeje do të jetë jo vetëm Shën Peterburgu, por edhe Moska. Megjithatë, duhet theksuar se për momentin promovimi i produktit shqiptar në një farë mase është shumë i ndërlikuar dhe pjesërisht i parealizueshëm për shkak të disa rrethanave. Kështu, për shembull, është jo pak pa rëndësi fakti që midis Rusisë dhe Shqipërisë mungojnë linjat ajrore të drejtpërdrejta, prandaj për të mbërritur në Tiranë (kryeqyteti i Shqipërisë) turistit i duhet t’i hipë avionit transit nëpërmjet Stambollit, Vjenës dhe Munihut. Mungesa e linjave ajrore të drejtpërdrejta midis dy vendeve rrit së tepërmi koston e të gjithë paketës turistike

Aktualisht çmimi mesatar i biletë për një të rritur në të dy anët e Shën Peterburg është rreth 15 mijë rubla, kurse nga Moska  deri 12 000mijë rubla. Gjithashtu duhet pasur parasysh fakti se turistët rusë nuk ka njohuri veçanërisht për produktiin turistik të Shqipërisë, ndërsa shumë e konsiderojnë këtë vend të rrezikshëm për turizëm për shkak të ngjarjeve në Kosovë. Dhe kryesorja – në qëndrimin e turistëve rusë në Shqipëri ndikon në masë të madhe e faktori fetar – meqenëse është i vetmi vend në Evropë, në të cilin mbizotëron feja myslimane. Megjithatë shumë operatorë turistikë parashikojnë se së shpejti ky destinacion do të bëhet tejet perspektiv dhe popullor.

Menaxheri i firmës së tipit OOO (me përgjegjësi të kufizuar) “Foros” Jurij Sergejev tregon se Shqipëria është produkt shumë fitimprurës në tregun bashkëkohor turistik, meqenëse mund t’i ofrojë turistit praktikisht të gjitha llojet e rekreacionit: ekskursione, plazh, aventurë, aktiv dhe gastronomik. Shqipëria ka një larmi të madhe hotelesh dhe infrastrukture. Shumica e hoteleve janë vila private apo kampe pushimi të rikonstruktuara, ndërkohë  vitet e fundit vërehet prirja për ndërtime hotelesh moderne. Vlen të përmendet se në vitin 2014 në Shqipëri do të hapet hoteli i parë, politika e të cilit bazohet në parimin “all inclusive”.

“Për shkak të izolimit të vendit dhe të ekonomisë së saj agrare praktikisht të gjitha produktet ushqimore rriten dhe prodhohen në kushte natyrore, pa kimikate dhe plehra inorganike. Dhe për sa u përket çmimeve, ato janë disa herë më të lira se në Rusi”, – thotë Sergejevi

Vlen të përmendet se Shqipëria është një vend tejet i volitshëm për pushime në plazh, pasi vendi ka 362 kilometra zonë bregdetare, që, meqenëse ra fjala, ndodhet vetëm në pronë publike të pushtetit vendor. Plazhet e detit Jon, janë kryesisht me guralecë, kurse ata në Adriatik – ranorë. Disa prej tyre arrijnë gjerësinë deri 600 metra.

Vendet më të popullore për pushime në plazh janë Durrësi, Vlora dhe Saranda. Për të mbërritur deri në qytetet e sipërpërmendura mund të përdoret trageti nga ishulli grek i Korfuzit, koha e udhëtimit do të jetë rreth 30 minuta.

Për turistin do të ishte shumë i rëndësishëm informacioni se sezoni i plazhit në Shqipëri zgjat nga maji deri në tetor. Temperatura mesatare në sezonin e pushimeve është 27 gradë mbi zero, kurse temperatura e ujit është 36gradë. Megjithatë, janë regjistruar raste kur në korrik dhe gusht temperatura e ajrit ka arritur në 35-37 gradë. Shumë i dobishëm për turistin e ardhshëm do të ishte informacioni se qeveria shqiptare për periudhën e pushimeve të sezonit veror (25 maj – 25 shtator) aplikon regjimin pa viza, përfshirë edhe për shtetasit rusë.

Kompania “Foros” beson se turistëve rusë duhet t’u vijë përshtat Shqipëria. Sipas ekspertëve, kjo shpjegohet me nivelin e moderuar të çmimeve. Kështu, për shembull, darka në një restorant shqiptar do t’u kushtojë gjithë-gjithë 12-15 euro, kurse një shishe vere nga më prestigjiozet dhe të shtrenjtat do t’u kushtonte rreth 10 euro. Arsyeja e dytë pse rusëve do t’u pëlqejë të pushojnë në Shqipëri, është mungesa e bashkatdhetarëve në zonën e plazhit, pasi, sipas statistikave, rusët janë vizitorë të rrallë në Shqipëri.

Por, me të mbërritur, për ata po përgatitet shërbim shqiptar – në objektet e pushimit në disa restorante do të ketë meny në gjuhën ruse.

Hë për hë, operatorët turistikë i kanë vënë vetes si objektiv se si t’u tregojnë sa më shumë gjëra agjentëve turistikë mbi Shqipërinë.

Prandaj detyra kryesore e agjencive / operatorëve turistike është fushatë promovuese / publicitare në shkallë të gjerë  e vendpushimeve shqiptare. Kjo është arsyeja pse kompania “Foros” tashmë ka filluar për të bëjë një seri seminaresh kushtuar pushimeve në Shqipëri, si dhe gjithashtu planifikon të realizojë në muajin prill fam-trip-e (familiarisation trip – term anglisht për “udhëtim familjarizues i stafeve të agjencive turistike” – “Dyrrah”) me devizën simbolike “Duke thyer stereotipat” me avion nga Moska dhe Peterburgu.

Këtë vit udhëtimet në drejtim të Shqipërisë do të organizohen “sipas kërkesës” ose me grup. Në agjencinë turistike “Foros” çmimi mesatar i një udhëtimi të kombinuar njëjavor (plazh+ekskursione) është 700 euro/person, me pjesëmarrjen minimumi të 4 vetave në tur (pa llogaritur biletat e avionit).

Në agjencinë “Neva” pushimi njëjavor për person me linjë ajrore Moskë-Stamboll, me akomodim në hotel me 4 yje me “mëngjes”, do të kushtojë rreth 32 mijë rubla.

Vitin e ardhshëm, “Foros”-i planifikon të studiojë mundësinë e organizimit të fluturimeve çarter në Shqipëri. Dhe nëse kjo ide përfundimisht do të shndërrohet në projekt të plotë, rruga deri në Shqipëri, do të jenë si më poshtë: me çarter deri në Korfuz, dhe nga aty me traget në Sarandë. Në rast realizimi të këtij varianti transferte, partner hipotetik i “Foros”-it mund të bëhet operatori turistik Solvex, por kushtet që do të kënaqnin të dyja palët, ende nuk janë gjetur.

Gjithsesi Korfuzi bëhet një lloj “plasdarmi” për njohje me Shqipërinë tashmë këtë vit: nga ishulli grek, në saj të shërbimit të shpejtë dhe të rregullt me traget, për rusët planifikohet të organizohen ekskursione njëditore po në Sarandë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/