Tiranë, 30 mars 2014– Lëvizja Aleanca Kuq e Zi e Kreshnik Spahiut dhe Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës mund të dalin së shpejti me një deklaratë të përbashkët. Kështu u shprehën sot dy drejtuesit, pas një takimi me njëri-tjetrin, ku pohuan se kanë rënë dakord për tri pika të rëndësishme.
Patriotizmi, korrupsioni dhe politika e jashtme, janë çështjet për të cilat, siç tha Ngjela dhe Spahiu të dy lëvizjet politike kanë të njëjtën optikë.
“Për tre pika kemi rënë dakord, problemi i patriotizmit, që duhet trajtuar jashtë një frymë arkaike, por moderne, korrupsioni, që është një plagë e politikës dhe shoqërisë dhe së treti politika e jashtme, për të qenë në mbrojtje të interesit shqiptar”- tha ndër të tjera Ngjela.
Ndërsa, menjëherë pas Ngjelës foli për gazetarët edhe kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, i cili theksoi se takimi ishte për të njohur pogramet dhe objektivat e secilit.
“Ramë dakord për çështjen e patriotizmin si një nevojë dhe dosmodoshmëri në koherencën e zhvillimeve politike në rajon dhe më gjerë. Së dyti, gjithë mesazhi që lidhet me antikorrupsionin, dhe profili i lartë mediatik që kanë të dyja lëvizjet politike, kanë një impakt të gjerë në publik, si dhe një qasje të re për politikën e jashtme, e cila lidhet me interesat e shqiptarëve dhe amerikanëve në rajon, duke patur parasysh që SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten avokati i palëkundur i yni.”- tha Spahiu.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





