DURRËS, 30 mars 2014 –  Fill pas mesnatës, teksa po ndërrohej ora të dielën e fundit të marsit 2014, në thellësitë detare të Gjirit të Lalëzit, pati lëkundje jo fort të lehta, që u ndien edhe në afërsi të Hidrovorit dhe vilave të Ilir Metës, Argitë Malltezit (Berisha), Blend Fevziut etj, si dhe qytetit të Shijakut me pasojë thyerje gotash apo objektesh porcelani, “dava” xhingla-mingla.

Rrjeti sizmologjik shqiptar ka shënuar një tërmet minor me forcë M=3.4, me epiqendër në thellësinë 8 km në detin Adriatik në koordinatat 41.49°V, 19.5°L.

Departamenti i Sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit Politeknik të Tiranës njofton se dukuria tektonike ka ndodhur ora 00:02:14 (GMT) ose ora 02:02:14 (koha verore e Shqipërisë +2 GMT) në detin Adriatik, në një distancë në vijë ajrore 22 km në veriperëndim të qytetit të Durrësit (shih hartën nr. 2).

Sipas një verifikimi me Google Earth, ngjarja sizmike ka ndodhur në Gjirin e Lalëzit, dy kilometra në jugperëndim të fshatit turistik “Lura” (shih hartën nr. 2, pika e kuqe në fund majtas dhe në krye djathtas fshati turistik), ku dhe ndodhen vila (në foto) të VIP-ave të politikës dhe medies si ajo e Ilir Metës kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, kreu i LSI-së; Argitë Malltezit, nuse në Shijak, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha; Blend Fevziut, gazetari më i pasur i vendit etj.

Lëkundjet e tërmetit janë ndier dukshëm në vilat turistike, ku mësohet se janë thyer apo rrëzuar takëme pijesh, xhingla qelqi e porcelani; por fatmirëisht nuk pati dëmtime dhe viktima.

Në të vërtet njëfarë paniku ka kapur banorët e zonës së Hamallajt, Hidrovorit deri në Shijak, për më tepër që ishin në gjumë.

Dallgëzimet e mëdha të detit, për shkak të cektësisë prej 8 km nga epiqendra, kanë lagur një fashë ranore me gjerësi 20-40 metra.

Ishte fat edhe për 600 të ftuarit në ditëlindjen e z. Meta që nuk pati lëkundje toke, pasi ato u ndien të nesërmen, më 26 mars 2014, ora 21:28:47 (koha dimërore e Shqipërisë +1 GMT) dhe patën një forcë relativisht të lehtë, M=2.7, me epiqendër në thellësinë 22 km, në koordinatat 41.51°V, 19.58°L, nw largësi 5 km në vijë ajrore në lindje të “Lura”-s.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/