Durrës, 30 mars 2014 – Ishte prangosur në në fillim të marsit me akuzën “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”, por megjithëse ishte në paraburgim nuk ka hequr dorë nga ‘zanati’ i vjetër. 27 vjeçari Andi Zoga, banues në Durrës, kishte arritur të fuste në qelinë e paraburgimit një sasi të vogël heroine. Gjatë kontrollit të ushtruar nga punonjësit e Institucionit të Ekzekutimit të vendimeve penale në Durrës, 27 vjeçari i është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 1 gram pluhur ngjyrë bezhë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë.

27 vjeçari është tashmë i prangosur, por kjo gjetje rëndon edhe më shumë dosjen e tij penale. Ai ishte arrestuar më datë 05.03.2014 me akuzën “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Ajo për të cilën po punon tashmë policia është zbulimi i mënyrës dhe autorit që i mundësoi 27 vjeçarit Zoga të fuste droga të forta në qeli.

Në dy raste të mëparshme, policia e Durrësit ka bërë të ditur se janë gjetur në vendin e ajrimit të paraburgimit sasi të vogla droge, por në të dy rastet bëhej fjalë për kanabis sativa.   

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/