Durrës, 29 mars 2014 – Sotiraq Manushi, ose Raq Manushi siç e njihnin të gjithë në qytetin e Durrësit, ka disa vjet që nuk jeton më, por aktiviteti i tij sportiv e ka bërë atë të pavdekshëm në kujtesën e të gjithëve. Jeta e tij dhe angazhimi i tij i gjithanshëm e bënë Raqin një njeri të dashur në qytetin e Durrësit si dhe sportist të famshëm që në fillim të viteve '40. Në këto vite, por edhe më pas Raqi ka qenë njeriu më i shpejtë në Shqipëri, ndërkohë që ai nuk u mor vetëm me atletikë, por edhe në garat e notit, kërcimit së gjati, hedhjen nga trampolina dhe së fundmi futbollin. Ai ka qenë kampion jo vetëm në 100 metra, por edhe në garat e tjera që zhvilloheshin në ato vite në vendin tonë. Si një atlet mjaft i shpejtë, Raq Manushi u bë i njohur menjëherë si një i djathtë tipik jo vetëm për "Teutën" e Durrësit, por edhe për ekipin përfaqësues dhe skuadrat e kryeqytetit kur shkonte për përforcim. Futbollisti që bëri emër dhe zë shumë të madh në një kohë të shkurtër, qëndroi pranë futbollistëve të rinj duke afruar tërë përvojën e tij në sallat e mbyllura sportive dhe në fushën e blertë. Të shumtë janë të rinjtë asokohe që më pas do të cilësonin si trajner, mjeshtër, mësues deri edhe profesor Sotiraq Manushin për shkak të shpirtit të tij të paepur dhe dëshirës së madhe për të parë të rinjtë durrsakë të merrin trofe kombëtarë e të bënin karrierë në sport. Të gjithë e donin Raqin, sportistë, prindër të tyre, sportdashës. Dhe kjo për të vetmen arsye, se mjeshtri Manushi kishte cilësi të larta.
Ishte ndër sportistët më fisnikë të ekipit "Teuta", bisedonte shtruar me tifozët, dëgjonte lëvdatat por edhe kritikat, ishte i thjeshtë sa edhe i dashur. Këto virtyte humane e renditën ndër sportistët më të nderuar në Durrës. Por jo vetëm kaq. Raqi krijoi shoqëri të paanë gjithandej, në shumë qytete. Ku shkonte miqësohej jo me një e dy, por me grupe tifozësh. Adhuruesit shtoheshin për të vetmin fakt se krahas talentit si sportist manifestonte kulturë qytetare. Në Durrësin e tij nisën gjithnjë e më shumë të dëgjoheshin fjalë e epitete që kalonin përmasat e një lavdie të thjeshtë. Me pjekurinë si sportist jo vetëm tek tifozët, por edhe tek komentatorë sportivë dhe kritikë të sportit nisi të dëgjohej gjithnjë e më shpesh "Raq Memushi është ikonë e sportit durrsak, Raqi është krenaria, ikona e Teutës" dhe të tjera pohime emocionale. Formimi dhe talenti i Raq Manushit i përshtatej cilësive të futbollistit të viteve 70-të pra një futbolli që teknikisht do të vinte në stadiume 25-30 vite, pasi Raq Manushi do të jepte sinjalet e para. Teknika dhe shpejtësia e tij ishin të pakonkurueshme, ndërsa durrsakët por edhe tifozët e ekipeve të tjera mbajnë mend mirë se dyshja Manushi – Pasha bënte mrekulli në fushë. Shtati i tij i bëshëm dhe fisnik e rrisin edhe më tej kurorën e lavdeve, pasi dëshmonte burrëri, forcë, vitalitet dhe shkathtësi. Në cilësinë e një sulmuesi në mënyrë të përsëritur është krahasuar me futbollistët në zë të kohës si Biçaku, Parapani e Mirashi, teknik të njohur që afronin spektakël. Dëshirën, punën e vullnetin për sportin nuk ia hoqën as vitet e regjimit komunist. Asnjëri nga djemtë e tij, Ledio e Dhimitri, nuk mundën të fitonin të drejtën e shkollimit, pasi Raqi vinte nga familje të persekutura dhe regjimi tentoi ta mbante të gjynjëzuar. Por përmes sportit, Raq Manushi, pati forcë të kapërcente mbi këtë dhembje. Në vitet ‘60, kohë që ai edhe do e vuajë më shumë këtë luftë klasash të pakuptimtë, nuk ka qenë i vetëm në luftën për mbijetesë. Në heshtje apo edhe në deklarime të hapura, Raqi gjeti mbështetje nga bashkëqytetarë, sportistë e moshatarë të cilët përjetonin merakun e sportistit për edukimin shkollor të djemve. Në klubin "Partizani", në vitin 1950, sportisti Raq Memushi shkëlqente si atlet dhe ishte kampion absolut. Së paku cilësime të tilla i vërejmë jo pak në shtypin e kohës, në biseda e analiza të rezultateve, në ditë festimesh sportive etj. Shumë kush që ka ndjekur sportin e asaj kohe dhe kryesisht ekipin "Lokomotiva" ruan edhe sot nostalgjinë për tërë brezin e viteve ‘50-të dhe sulmuesin Manushi. Elegant, i shpejtë, teknik e shpërthyes në krahun e djathtë, këto janë cilësime të shpeshta, ndërkohë që tifozët që mbështesnin ekipin e Durrësit e kishin Raqin njeriun e tyre të zemrës.
Manushi midis Tiranës dhe Durrësit
Tirana dhe Durrësi ishin dy stacionet-qytet me shumë tradita në futboll. Ato thuajse u bashkuan në fillimet e viteve 40-të. Manushi filloi të bënte emër fillimisht tek ekipi "Rinia II" i Tiranës. Sportisti që më pas do të njihet nga të gjithë sportdashësit pati njohje e miqësi me mjeshtrat dhe figurat e mëdha të sportit shqiptar si Selman Stërmasin, Osman Reçin, Haxhi Arbanën, Adem Karapicin, Rexhep Spahiun dhe Besim Boriçin e shumë të tjerë. Të gjithë këto emra i ka kujtuar deri ditën që Raq Manushi dha frymën e fundit. Talenti nga Durrësi do të puqet me disa breza sportistësh. Një pjesë e tyre, më të mëdhenj në moshë, ishin bërë veteranë dhe po përgatiteshin të afronin stafetën tek të rinjtë. Të tjerë ishin bashkëkohës të Manushit, ndërsa vetë sportisti durrsak pasoi karrierën tek brezi që do të vinte. Në vitet 40-të ai do të ndiqte me ëndje lojën e sportistëve si: Rruginë, Gjirin, Sallatën, Tatin, Jeremiqin, Haçkovinë, Hajdarin, Pashën, Thërminë. Pas tyre vjen plejada e të tjerë emrave të mëdhenj si Qemal Vogli, Skënder Jareci, Mile Qoshja, Abdulla Duma, Met Myshku, Shyqyri Hasa, Taq Murati, Niko Bespalla etj. Lojtar në formacion të parë me ekipet " Teuta", "Ylli i Kuq", "Dinamo", "Puna" dhe "Lokomotiva".
Sportisti me aktivitet ndërkombëtar
Drejtues të ekipeve kombëtare si dhe përfaqësues të federatës së futbollit dhe sporteve asokohe kanë mundur të tejkalojnë mbi "njollën biografike" të Sotiraq Manushit. Ishte talenti, përgatitja fizike e taktike, mjeshtëria në përdorimin e topit dhe fryma e kolektivitetit që shtynin trajnerët ta përfshinin atë në grumbullimet për takime ndërkombëtare. Ai është grumbulluar me përfaqësuesen e klubeve të Shqipërisë së Jugut për t'u ndeshur me kampionen e Bashkimit Sovjetik, “Spartaku i Moskës”.
Ndërkohë bashkëkohës si dhe dokumentet e arkivuara në klubin e futbollit në Durrës dhe në arkivat e federatës, bëjnë të ditur se Raq Manushi luan me ekipet e Podgoricës dhe Sarajevës, duke zgjuar një interesim të veçantë për të gjithë tifozët. Ndeshjet në Shkup dhe në Prishtinë në përbërje të një seleksioni shqiptar, takime që fitohen 1-0 dhe 4-1 shtuan edhe më tej besimin dhe gjykimin se Raqi ishte shndërruar në lojtar titullar. Në dhjetor të vitit 1954, futbollisti durrsak shfaqet tek Kombëtarja shqiptare B dhe luan mrekullisht me ekipin "Krahët" e Sovjetëve, "Dinamo"-n e Bukureshtit dhe "Dozha" të Budapestit. Së bashku me futbollistët Bonati, Boriçi, Biçaku, Parapani, Mirashi, Baçi dhe Dibra mbajtën peshë entuzismin sportdashës shqiptar. Sotiraq Manushi kohën më të madhe në sport ia kushtoi futbollit, por në jetën e tij sportive jo pak vend e vlerë ka edhe atletika. Në kampionatin e atletikës në vitin 1946-1947 Manushi do të renditet i dyti në garë, fill pas kryesuesit Skënder Begeja. Vendi i dytë në garën e 100 m i dha shtysë për të fituar një trofe edhe më të mirë. Kështu në garën e 200 m ai del në vendin e parë duke sjellë në qytetin e tij medaljen e vendit të parë. Atleti nga Durrësi nuk ndalet me kaq. Sotiraq Manushi ka hyrë në memorien sportive edhe në patinazh, gjimnastikë dhe hedhje nga trampolina. Edhe pse vitet ecnin Raqi Manushi nuk iu nda asnjëherë fushës së blertë dhe aktiviteteve të tjera sportive. Në moshë të thyer ngjiste shkallët e stadiumit "Niko Dovana", frekuentonte ndeshjet në pallatin e sportit "Ramazan Njala" si dhe frekuentonte sa herë mësonte se në Durrës kishte aktivitete sportive të çdo lloji. Ikona e sportit durrsak Sotiraq Manushi ka gdhendur një emër të paharruar në librin e madh të sportit dhe traditës sportive në Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





