Tiranë, 29 mars 2014 – Shqiperia dhe Kosova jane angazhuar zyrtarisht për te çuar përpara projektin për realizimin e një tregu të përbashkët energjitik midis dy vendeve.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Damian Gjiknuri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Fadil Ismajli u takuan në Tiranë ku nënshkruan dy dokumente në vazhdën e projekteve të interkonjeksionit që do të përbëjnë shtyllën kurrizore të tregut të përbashkët energjitik. “Ata firmosën një memorandum mirëkuptimi për realizimin e interesit të përbashkët, për zhvillimin e rrjetit të transmetimit përmes ndërtimit të linjës 110kV e cila lidh Nënstacionin Dragashi në Kosovë me Nënstacionin Kukësi në Shqipëri”,- njofton ministria.

Sipas marreveshjes, palët ranë dakord të kërkojnë nga operatorët e sistemit, të ndërmarrin të gjitha aktivitetet e nevojshme për të koordinuar aktivitetet në zbatimin e projektit, hartimin e dokumenteve teknike, marrëveshjet e zbatimit, sigurimin e mjeteve financiare dhe ndërtimin e linjës.

Ministrat firmosën edhe një memorandum ku shprehin dakordësinë për të siguruar mjetet financiare për studimin e krijimit të tregut të përbashkët. Mes dy qeverive do të krijohet një Komitet i drejtuar nga Ministrat përkatës  që do të miratojnë termat e referencës dhe do të udhëheqin këtë projekt.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/