Nga Kiço Blushi

 

Përgjatë 70 viteve nga çlirimi e tëhu nuk mund të thuhet zëplotë se Lufta e Ftohtë ka përfunduar e reshtur te ne. Ajo nuk është rindezur as për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, teksa analistët parandjellin rrezikun e një lufte të tretë botërore, pasi më së shumti historikisht e tradicionalisht këtejpari ajo është zhvilluar së brendshmi, -kundër njëri-tjetrit,- se sa si ndikim së jashtmi; madje jo dhe aq për arsye të mirëfillta e të pastra ideologjike të përplasjes së mendësive ekstreme: Lindje-perëndim, kapitalizëm-socializëm, diktaturë-demokraci, se sa si luftë e krerëve bajraktarë për pushtet e sundim.

E ngjizur për gati gjysmë shekulli edhe me luftën e klasave, Lufta e Ftohtë për luftën për pushtet, e nisur fillimisht mes partizanëve dhe ballistëve dhe më pas mes trashëgimtarëve të tyre, zor të ketë qenë rrjedhojë e mirëfilltë e pikëpamjeve dhe orientimeve të dy kampeve politike, të djathtëve e të majtëve, sepse ndarje të tillë me thikë, në kuptimin klasik të fjalës, nuk ka pasur e nuk ka. Me veprimet e mosveprimet e tyre, socialistët shpesh janë të dëshiruar të sillen më të djathtë se të djathtët (më antikomunistë se të përndjekurit), kurse demokratët më populistë e më revolucionarë se të majtët (për të fituar vota)…

Lufta e Ftohtë, e nakatosur me Luftën e Klasave, është përdorur përherë si mjeti i vetëm e më efikas i betejave politike për të siguruar e për të mbajtur sa më gjatë pushtetin vetjak. Për këtë arsye krerët politikë më së pari kanë qenë të detyruar të humbin moralitetin dhe më pas edhe besueshmërinë, pa e shuar e dobësuar klimën e Luftës së Ftohtë, paçka se pas viteve ‘90-të Lufta e Klasave u denoncua si zezonë, duke u tjetërsuar “demokratikisht” në Luftë të Ftohtë për të përfunduar, edhe përgjatë gati një çerek shekulli me demokraci, në një murtajë mbarëshoqërore të përçarjes, dasive, grindjeve, mosmarrëveshjeve, spiunllëqeve, konflikteve e përplasjeve prej të cilave ka pasur jo pak viktima, si dhe janë shkaktuar jo pak shanse dhe iluzione të humbura.

Brishtësia e standardeve (ekonomike dhe demokratike), por edhe statusi i mohuar nga BE vetëm për ne shqiptarët, a nuk janë rrjedhojë dhe provë kokëfortë e kësaj klime konfliktuale? Ndaj çështja që sot për sot shtrohet: A kemi dalë ne nga kjo hulli? Dhe, për më tepër, kush vazhdon të na mbajë të murosur e të ngujuar në këtë ngërç mosmarrëveshjesh e konfliktesh të pasosura, në këtë gjendje deledash: gjysmë demokraci dhe gjysmë diktaturë e mirëfilltë?

Besoj se në hendekun e fëlliqtë të Luftës së Ftohtë të shartuar me Luftën e Klasave duhet kërkuar shpjegimi përse tek ne kanë mbijetuar aq gjatë diktatorët dhe autokratët, maskarenjtë dhe faqezinjtë, si dhe përse ende nuk ka sosur, as pas rënies së Murit të Berlinit, as pas shembjes së komunizmit dhe as në këtë tranzicion të pafund, psikoza marroke e konfliktualitetit, sharjeve dhe shpifjeve të ndërsjella.

Vitet ‘97-‘98 ishin pasqyrë tragjike e kësaj dukurie, kur, edhe në kohë paqeje e kinse demokracie u provua se Lufta e Ftohtë mund të shndërrohej kollaj në “të zjarrtë”, në prag Lufte Civile ku as qeni nuk e njihte të zonë, le më pastaj që qytetarët të pranojnë rendin, harmoninë, shtetin dhe njëri-tjetrin si domosdoshmëri për të bashkëjetuar të barabartë në një shoqëri të lirë e përnjëmend demokratike.

Ndërsa në fillimet e veta kur pas ngritjes së Murit të Berlinit Lufta e Ftohtë u sendërtua nga diktatura me ekzekutime, vrasje, me “shtriga të Salemit”, me pushkatime e internime të kundërshtarëve, më pas, kur shoqëria doli nga kampi i izolimit e me ligj kushtetues u garantua liria e fjalës, armë asgjësuese u bë fjala publike e krerëve partiakë, e “shtrigave të internetit”, e zhonglerëve të ekraneve të televizioneve, e hjekësve të moralit dhe të vlerave kombëtare.

Sulmet verbale nëpër media, me internet, në mjediset publike, në fushatat zgjedhore, kudo e kurdo, natën e ditën, pavarësisht se kush është në pushtet, janë bërë më se të rëndomta. Liria u shndërrua në anarki, anarkia në amulli e të gjitha së toku u quajtën politikë. Aq sa tanimë është tejet e vështirë të gjendet një figurë e pastër, pa baltë në fytyrë që të përzgjidhet e të vendoset me konsensus në krye të shtetit, si autoritet i padiskutueshëm moral. Edhe krerët e lartë fetarë, që nuk i zgjedh vota popullore, nuk i kemi të tillë. As të besueshëm, as të pranueshëm, as konsensualë. Edhe ndaj tyre hidhet baltë, si ka ndodhur e po ndodh së fundi edhe me kreun e ri të komunitetit musliman.

Lufta e Ftohtë u bë zot absolut, diktator e sundimtar i opinionit publik me “mjete demokratike”. Për t’u bindur, edhe po të mos dish shqip, mjafton të ndiqet një seancë e çfarëdoshme e Kuvendit. Sepse qëllimi ka mbetur i njëjtësuar: jo asgjësim fizik i kundërshtarit, si në diktaturë, por moral, deri në paralizë të plotë të tij…

Krerët e kuptuan se ai udhëheqës partie e qeverie që është i aftë të mësyjë sa më me yrysh kundër “armiqve”, jo vetëm që do të quhet i fortë, i zoti e i pamposhtur, por do ta fitojë betejën e do të ketë të garantuar “përjetësinë” e vet në politikë bashkë me epërsinë, imunitetin dhe sigurinë përballë organeve të drejtësisë.

Sa krerë minipartish, pa anëtarë, kanë mbetur falë kësaj “strategjie” që nga ‘90-ta e këtej si deputetë, pavarësisht se nuk kanë fituar asnjëherë me vota popullore? Sa syresh i kanë shpëtuar ndëshkimit, falë imunitetit, falë meritës së tyre për të mbajtur gjallë për 23 vjet, Luftën e Ftohtë brenda llojit, brenda shoqërisë mes partive?

Me ndihmën e Luftës së Ftohtë është bërë e mundur të tremben e të paralizohen, ndërkohë jo vetëm “armiqtë” e partisë e të shefit, por edhe vartësit, qëndrestarët dhe mercenarët, të pavarurit, asnjanësit, votuesit “gri” si dhe trushpëlarët. Kështu vepronte në kohën e vet Hoxha me plenumet e tij, teksa kryqëzonte, pas armiqve të jashtëm edhe ata të brendshëm. Mjafton të lexohen procesverbalet që po botohen së fundi për diskreditimin e Paçramit dhe Lubonjës për të kuptuar se si eliminimi dhe bombardimi i tyre me diskriminim, fillimisht verbal (“lecka” dhe “fundërrina”, i quante) shërbente si shembull për të trembur dhe “ngrirë” jo vetëm partinë, por gjithë popullin.

E pra, a nuk zbatohet e njëjta metodë asgjësimeliminimi, si në diktaturë dhe në demokraci, pavarësisht nga lloji i armës? Ç’ndryshim kanë vullnetarët e Enverit nga vullnetarët e sotëm të Saliut? A nuk janë mësymësit e sotëm i njëjti prodhim standard i makinerisë së Luftës së Ftohtë, i trushpëlarjes nëpërmjet forcës, përfitimeve pa merita, dhunës verbale, demagogjisë, kur njeriu i thjeshtë detyrohet të dorëzohet pa kushte, teksa beson se “të gjithë derrat kanë të njëjtin turi”?

Edhe pas shembjes së diktaturës, kush ka dalë kundër “e ka merituar” fatin e tradhtarit dhe damkën e karrigethyerit. Mallkimi dhe shpifja, poshtërimi publik dhe akuzat, kërcënimi edhe me jetë, janë lënda e parë e klimës së terrorit gjithëpërfshirës. Vrasjet e protestuesve paqësorë, shoqëruar më pas me sulmet e paskrupullta ndaj ish-Presidentit që u synua të poshtërohej me fjalën e ndyrë “horr”, ndaj ish-Prokurores së Përgjithshme që rrugaçërisht u quajt “lavire bulevardi”, ndaj gazetarëve që u synua të eliminoheshin si “puçistë”, ndaj kreut të opozitës që u etiketua si kryemafiozi më i madh i Ballkanit… tentonin jo vetëm t’i paralizonin personat e lartpërmendur, duke i trembur e ndotur publikisht, por të vinin nën thundër njëkohësisht shoqërinë dhe organet e drejtësisë, duke i detyruar të ulnin kokën.

Se, pas këtij përfundimi logjik: kur autoritetet më të larta të shtetit, klerit e kulturës nëpërkëmben dhe poshtërohen kësisoj, vjen përfundimi tjetër “logjik”: A e kupton se ç’mund të të ndodhë nesër ty, o anonim i pambrojtur? Ke sy e veshë ti, o qytetar i pavarur, o fakirfukara që rri e bën sehir në këmbim të rehatisë që të jep pafuqia dhe bindja e trashëguar që nga koha e Dumbabës: “Çne me lazëm…”?! E pra, a mund të thuhet që ky synim nuk është arritur “me sukses” pas shembjes së diktaturës dhe Murit të Berlinit, aq sa edhe protesta, si mjet demokratik, e ka humbur kuptimin? Tek e fundit përse opinioni ynë publik ka kaq pak ndjeshmëri edhe kur vriten njerëz, edhe kur vidhen miliona euro?

Po flitet shumë këto ditë për një thirrje me letra të dy krerëve kryesorë, që këta të takohen e të merren vesh, më në fund, pa ardhur qershori i statusit, për reformat e shumëpritura. Nga këmbimi i letrave, si këmbimi i pëllumbave të paqes në kohë lufte, shpresohet se mund të krijohet një e çarë në Murin e Luftës së Ftohtë. Ndërkombëtarët shpresojnë se pas uljes në një tryezë të dy krerëve do të zbutet sadopak konfliktualiteti dhe sherrnaja.

Por sa kohë të jetë Berisha faktor në politikë, vendimmarrës absolut i opozitës, përcaktues e zotërues i padiskutueshëm i klimës politike e mediatike, zor se mund të shpresohet të hiqet, qoftë edhe një tullë e vetme, nga muri i çimentuar prej tij i Luftës së Ftohtë. I dorëhequr dhe me jo pak akuza e dyshime të rënda në kurriz, zbutja e Luftës së Klasave, aq më tepër eliminimi i Luftës së Ftohtë mes partive dhe institucioneve, për Berishën do të thotë të afrohet rreziku potencial i pasigurisë. Humbje e paprekshmërisë. Frikë e ndëshkimit të nesërm “pas dorëzimit të armëve”; ai e di që jo vetëm kundërshtarët e tij politikë, po edhe besnikët brenda partisë së tij do të ngrenë kokën, si ndodhi me paraardhësit e tij, Enverin e Ramizin. Sidomos kur prokurorët dhe gjykatësit do të binden se ai nuk është më “mareshali” i dikurshëm që të bënte gjëmën, edhe pa dhënë urdhër, por një qytetar më se i zakontë, pa asnjë fuqi e mundësi ndikimi mbi ta, fundi nuk mund të parashikohet. Më mirë se kushdo ai e di që ndëshkimi i tij mund të përdoret nesër si shembull i ngritjes së autoritetit të cungët të drejtësisë së sotme si dhe i krijimit të besimit popullor te demokracia dhe shteti i së drejtës. Prandaj agresiviteti i shtuar i ligjërimit të tij politik në Kuvend dhe në ‘facebook’ buron prej këtij paniku: provoni të më prekni, provoni të më akuzoni, guxoni të më sulmoni…

Zbutja e Luftës së Ftohtë mes PD-së dhe PS-së, mundësia e marrjes së statusit në qershor nuk janë në favor të tij, sepse statusi automatikisht ka për t’i dhënë fund tranzicionit, duke thelluar reformat e sjellë normalitetin si dhe duke nxjerrë përfundimisht nga përdorimi armët shkatërrimtare të Luftës së Ftohtë. Në një klimë paqësore sulmet e Berishës nuk do të kenë asnjë ndikim në publik, madje rrezik të kthehen në ca skeçe estrade që as për të qeshur nuk të bëjnë dot; ndërsa Rama dhe qeveria e tij do të ndjehen më të qetë e më sigurt…

Në të kundërt, po nuk na u dha statusi, sulmet dhe akuzat e Berishës do të jenë më të justifikuara, më të motivuara e më të dobishme për të personalisht. Se, tek e fundit: “Kush na la jashtë Evropës?!”…

Prandaj janë naivë ata që besojnë se Berisha do të lejojë Bashën do të shkojë në takim, aq më pak që ky të bjerë dakord me Ramën për reformën administrative që të na mbarështohet demokracia…

Por fakti që ngulmohet për një takim “sy në sy”, provon se Shqipëria ende konsiderohet si parashoqëri demokratike, ku besohet se po të takohen, po “të puthen” e po të merren vesh krerët e partive të mëdha punët mbas sodit do të na venë mbroth. Këtë mendësi e solli fillimisht në Tiranë “San Egidio”, pastaj e praktikoi Berisha me Nanon, më pas edhe Rama me Berishën për ndryshimet kushtetuese brenda një nate…dhe, më në fund, e tentoi edhe ”Krokodili” i Strasburgut…

Po ç’doli nga këto takime “historike” të bujshme që synonin të legjitimonin sundimin absolut të Njëshit mbi partitë, mbi institucionet, mbi Kuvendin, ligjet dhe mbarë shoqërinë? A i erdhi fundi Luftës së Ftohtë? Përse vazhdojmë t’i kemi institucionet demokratike kaq të flashkëta? Përse nuk e fituam statusin? Përse sherret e konfliktet nuk kanë sosur?…Përse, dreqi e mori, kaq shumë pse-ra pa përgjigje?

E pra, flitet aq shumë për ndarje pushtetesh, për çmitizimin e Njëshit, për reforma, për demokratizimin e forumeve partiake, për dëgjimin e zërit të zgjedhësve, për përmirësimin e standardeve, për cilësinë e administratës publike dhe organeve të drejtësisë, për nevojën e statusit, për mrekullinë e anëtarësimit në NATO… etj etj, po a kemi vallë ndonjë përmirësim krahasuar me endet e tjera të Lindjes?…

Apo mos vallë ne shqiptarët vazhdojmë të mbërdhijmë në acarin e Luftës së Ftohtë, ndërsa krerët “demokratikë” i fryjnë zjarrit të oxhakut të pushtetit vetjak njëlloj si pararendësit e diktaturës?

Diktaturat, si ka thënë një kancelar gjerman i kohës së Luftës së Ftohtë, po u hapën, bien e shkërmoqen; ndërsa demokracitë degradohen po qe se synojnë të mbyllen. Kjo do të thotë që shoqëritë, edhe ato që vuajnë një tranzicion të gjatë e gëzojnë një demokraci të brishtë, si kjo e jona, nuk mund të mbyllen dot gjatë në kafazin e Luftës së Ftohtë. Të vetmit që nuk u leverdis paqja sociale e nuk i pranojnë marrëveshjet, -se i bëjnë të padobishëm,- janë autokratët. Për të keqen e tyre! Sigurisht edhe tonën, që jemi kaq të vonuar e të penguar!

Marrë nga “Gazeta shqiptare”