· Ambasada e Bel Paese dhe shtëpia e modës Luisa Spagnoli, marketing bamirës për koleksionin Pranverë-Verë 2014 me pjesëmarrjen e personazheve VIP të politikës, kulturës, artit, medies, biznesit; mes tyre të zonjave të para Odetë Nishani dhe Lindë Rama, ministrit Erion Veliaj etj.
DURRËS, 29 mars 2014 – Fëmijët jetimë dhe me prejardhje nga familje me probleme sociale në Durrës ishin objektiv i veçantë i një fushate publicitare të shtëpisë së modës “Luisa Spagnoli”, gjë që tërhoqi dhe vëmendjen e portalit më të famshëm të modës në botë “Fashionmag.com” (shih faksimilen në foton kryesore).
Në rezidencën e saj Ambasada italiane në Shqipëri, në bashkëpunim me kompaninë “Luisa Spagnoli”, ka organizuar më 27 mars 2014 një veprimtari bamirësie në ndihmë të Shtëpisë së Foshnjës, në Durrës.
Gruaja e karrierës me guxim dhe finesë erdhi në koleksionin e ri Pranverë-Verë 2014 të “Luisa Spagnoli”-t.
Të ardhurat e grumbulluara nga personat VIP, mes të cilëve zonjat e para Odetë Nishani dhe Lindë Rama, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, personalitete të rëndësishme të kulturës, artit, spektaklit dhe medies, do t’i kalojnë shtëpisë së fëmijës për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.
Vetë kreu i përfaqësisë së Apenineve në Shqipëri Massimo Gaiani është prekur nga bujaria e botës mondane të kryeqytetit:
“Do të doja të falënderoja të gjithë ju për kontributin bujar, që na lejoi të mbledhim një shumë të rëndësishme parash, të cilën do ta përdorim për risistemimin e jetimores së Shtëpisë së Foshnjës, në Durrës. Kemi mbledhur deri tani më shumë se 5 mijë euro dhe mund të realizojmë diçka të rëndësishme
Pjesë e kësaj ngjarjeje bamirësie ishte dhe këngëtarja Federica Balucani, protagoniste e talent-shou-t “Italia’s got talent”, shoqëruar nga maestro Giampaolo Curiol.
Info
Shtëpia e Foshnjës Durrës që ndodhet në stacionin e parë të autobusëve qytetës, në Shkozet, kryen shërbime rezidenciale për moshat 0-14 vjeç dhe shërbime ditore për moshat 3-6 vjeç; shërbime sociale për fëmijë 0-3 vjeç dhe 3-14 vjeç.
Për fëmijët e braktisur ofrohen shërbime në shtëpinë e foshnjës,e konceptuar me dy shtëpi familje për fëmijët rezidentë dhe fëmijët që vijnë nga familje me probleme sociale.
Në vitin 2013 shtëpia e foshnjës u financua edhe nga bashkia me një fond prej 500 mijë lekë, po ashtu, dhe për vitin 2014, është parashikuar në buxhet i njëjti fond prej 500 mijë lekësh.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





