Tiranë, 29 mars 2014 – “CEZ Shpërndarje” ka hedhur poshtë akuzat e ngritura sot nga Partia Demokratike përmes zëdhënëses, Laura Vorpsi ndaj kryeinxhinierit Plator Mehmeti, duke publikuar dëshminë e tij të penalitetit, në të cilën thuhet se ai nuk ka qenë i dënuar më parë.
“CEZ Shpërndarje shpreh keqardhje dhe hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura në këtë fushatë dëshpëruese të Partisë Demokratike për të përbaltur individë që kontribuojnë me vlerat e tyre profesionale. Këto pretendime të Partisë Demokratike synojnë thjesht dhe vetëm të manipulojnë opinionin publik, por ato i rrëzojnë institucionet e Drejtësise dhe vendimet gjyqësore. Sqarojmë se Plator Mehmeti në detyrën e kryeinxhinierit në Durrës në dëshminë e tij të penalitetit të datës 11. 11 . 2013 rezulton se nuk ka qene asnjë ditë i dënuar për asnjë lloj kundravajtje penale, sikundër pretendon Partia Demokratike.”– bën të ditur CEZ.
Kompania “CEZ Shpërndarje” nënvizon se është krejtësisht e hapur për të vënë në dispozicion çdo dokument që disponon për të verifikuar punonjësit e saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





